image EULEX: Ja si zgjidhet fati i të pagjeturve

Kosovë

20 vjet/ EULEX: Ja si zgjidhet fati i të pagjeturve

news image

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, ka përkujtuar të zhdukurit në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve.

Përmes një reagimi, Eulex bën thirrje që të ngritet vetëdijësimi për të pagjeturit.

Misioni evropian zotohet në zbardhjen e fatit të të zhdukurve. EULEX kujton se 20 vjet pas luftës, emrat e personave të pagjetur vazhdojnë të shtohen në listën zyrtare.

“Sot, ne e përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyrueshme, duke e ngritur vetëdijesimin për plojën e të pagjeturve dhe familjeve të tyre në mbarë botën dhe duke u ri-zotuar për zbardhjen e fatit të Zhdukurve. Njëzet vite pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999, emrat e Personave të Pagjetur vazhdojnë të shtohen në Listën Zyrtare. Aktualisht janë 1,653 persona të pagjetur”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

EULEX-i ka treguar se si mund të bëhet përparim në zgjidhjen e fatit të të pagjeturve

“Në mënyrë që të bëhet përparim në zgjidhjen e fatit të Pagjeturve është e domosdoshme që palët përkatëse t’i shkëmbejnë mes vete informacione të besueshme dhe përkatëse. Bashkërendimi midis palëve të interesuara duhet të përmirësohet ndërsa komunikimi me shoqatat e familjeve të forcohet. Vazhdimi i profesionalizimit të zyrtarëve policorë dhe të mjekësisë ligjore duhet të mbetet një prioritet i lartë, së bashku me zbatimin koherent të strategjive efektive dhe gjithëpërfshirëse për kërkim”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndërkaq ushtruesi i detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran, ka thënë se procesi i ndriçimit të fatit të të pagjeturve është i ndërlikuar dhe kërkon kohë.

“Kjo është një çështje që i prek shumë familje këtu në Kosovë dhe në rajon dhe unë dëshiroj që t’ua ofroj mbështetjen time familjeve që ende presin ta mësojnë fatin e më të dashurve të tyre. Ndërsa natyra e procesit të identifikimit është e ndjeshme, e ndërlikuar dhe kërkon kohë, është me rëndësi që ajo të vazhdojë në mënyrë që të gjinden përgjigjet për fatin e të pagjeturve. EULEX-i ka kapacitete të dedikuara për këtë fushë dhe do ta vazhdojë mbështetjen e tij sipas nevojës dhe kërkesave të partnerëve kosovarë të tij”, tha Thran.

Që prej fillimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, ky mision i ka kryer 639 operacione në terren me qëllim të gjetjes së personave të pagjetur, përfshirë 160 zhvarrime. Mbetjet mortore të 449 individëve janë identifikuar, përfshirë 306 persona të pagjetur. Eulex-i ofron ndihmë teknike për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës përmes ekipit të tij të ekspertëve mjeko-ligjorë për gjetjen, identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur tek familjet e tyre. /Sinjali