image EULEX-i ia dërgon barnat ish-policit të arrestuar serb: Po e monitorojmë rastin

Politikë

EULEX-i ia dërgon barnat ish-policit të arrestuar serb: Po e monitorojmë rastin

news image

Misioni i EULEX-it ka njoftuar se janë dorëzuar barnat për Dejan Pantiqin, ish-pjesëtarin serb të Policisë së Kosovës i cili u arrestua ditë më parë. Ai akuzohet për sulmin ndaj komisionit komunal të zgjedhjeve në veri dhe aktualisht është në paraburgim.

EULEX ka thënë për portalin serb “Kosovo Online” se misioni ia ka dorëzuar barnat e Pantiqit komandantit të Policisë së Kosovës në Leposaviq.

Kështu, ky mision i është përgjigjur kryenegociatorit serb në dialog, Petar Petkoviq, i cili e ka akuzuar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar këto ditë se “po merret me barrikada, ndërsa nuk sheh se autoritetet kosovare po e rrezikojnë jetën e Pantiqit duke mos ia lejuar përdorimin e ilaçeve”.

Siç thuhet në përgjigje, EULEX-i është në kontakt me Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale të Kosovës, Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe me avokatin e Pantiqit.

“Në përputhje me mandatin e tij, EULEX-i po e monitoron rastin në mënyrë që të vlerësojë se si po trajtohet i paraburgosuri nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

/GazetaSinjali/