image Kurti shfrytëzon veturat zyrtare për të kërkuar vota

Politikë

Kurti shfrytëzon veturat zyrtare për të kërkuar vota

news image

Ende pa filluar fushata për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me eskortën e tij, siç duket janë përgatitur mjaftë mirë për të filluar me fushatë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndonëse një gjë të tillë e ka kritikuar për sa kohë ishte në opozitë, kryeministri Kurti, sot ka “harruar” fjalët e tij të dikurshme dhe është nisur me veturë zyrtare për në Prizren.

Ai veturat shtetërore i ka shfrytëzuar për të bërë fushatë për kryetarin e tanishëm dhe kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për Prizren, Mytaher Haskuka.

Se Kurti ka rënë ndesh me fjalët e tij është konfirmuar nga një video e publikuar nga Haskuka në Facebook. Në këtë video për disa sekonda shihen veturat zyrtare të qeverisë së Kosovës dhe eskortës së Albin Kurtit.

Përdorimi i veturave zyrtare për qëllime elektorale nuk kanë kaluar pa u vënë re nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar nga subjektet politike që të mos i përdorin ato për qëllime elektorale.

Por, edhe këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër për kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Gjithsesi, Haskuka nuk është i vetmi që ka publikuar pamje të eskortës së Kurtit në Prizren. Në një video të publikuar nga gazetari Berat Buzhala shihet edhe më qartë eskorta e kryeministrit, teksa shkon për të bërë fushatë.

Kujtojmë se në komunën e Prizrenit Lëvizja Vetëvendosje është në balotazh me Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet që do mbahen më 14 tetor.

/GazetaSinjali/