image Escobar: Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë potencial të shndërrohen në konflikt rajonal

Politikë

Escobar: Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë potencial të shndërrohen në konflikt rajonal

news image

I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

Këto deklarata ai i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Ndërkaq, Lajçak tha se prioriteti i parë është shtensionimi i situatës, “t’i largojmë njerëzit nga rruga dhe t’i kthehemi dialogut”.

“Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], do të kemi viktima”, tha ai.

Sa i përket tre policëve të Kosovës, që gjenden në paraburgim në Serbi, Escobar tha edhe nëse ata janë rrëmbyer apo kanë hyrë gabimisht në territorin serb, ata duhet të lirohen menjëherë.

Këtë qëndrim e përkrahi edhe Lajçaku.

Ky diskutim vjen dy javë pasi Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.

Ata i paraqitën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, ku përfshihet edhe mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Më 14 qershor, raportet u tensionuan edhe më shumë, pasi tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Kosova thotë se ata u rrëmbyen brenda territorit të saj, por Serbia thotë se i arrestoi “thellë” brenda shtetit të saj.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar lirimin e tre policëve, pa kushte. Ata gjenden në paraburgim në Kralevë të Serbisë.

Për shkak të rritjes së tensioneve, BE-ja ka ftuar një takim krize gjatë kësaj jave. Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit ka thënë se nuk do të vendosë për pjesëmarrje në takimin e Brukselit, pa kuptuar gjendjen e tre policëve, që po mbahen në Serbi.

/GazetaSinjali/