Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i Dërguari Special për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka thënë se sanksionet nuk janë mjeti kryesor i angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, por se ato kanë një efekt dhe se do të ketë edhe tjera.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, në gjuhën serbe, Escobar theksoi se korrupsioni është problemi kryesor në ballkan.
Ai foli gjithashtu për sanksionet e vendosura ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik dhe dy zyrtarë të tjerë boshnjak, dhe pastaj kundër Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq në Kosovë.
“Nuk dua që njerëzit të mendojnë se Shtetet e Bashkuara po angazhohen në rajon kryesisht përmes sanksioneve. Ne kemi shumë mundësi për të çuar përpara agjendën e partnerëve tanë, për të çuar përpara agjendën e njerëzve që përfaqësojnë me të vërtetë aspiratat e popujve të tyre. Unë do të thoja se është kryesisht aspirata e këtyre njerëzve që të jetojnë në vende që janë pa korrupsion dhe që i afrohen Evropës. Kjo është ajo që njerëzit në rajon dëshirojnë në një masë të madhe”.
Tutje, Escobari konfirmoi se do të ketë sanksione të tjera.
“Megjithatë, kjo administratë është shumë e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe një nga mjetet në këtë luftë janë këto sanksione. Dhe mund të them PO, do të ketë më shumë, por ky nuk do të jetë mjeti kryesor i angazhimit tonë. Për më tepër, më duhet të sqaroj gjithashtu se këto sanksione nuk janë në shënjestër të vendeve. Ato nuk synojnë popuj të veçantë. Ata synojnë individë që janë thellësisht të përfshirë në korrupsion”.
Escobari foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksoi se do të jenë aktiv që të dy palët të bien dakord për takime.
“Ne do të jemi shumë më aktiv pasi inkurajojmë të dyja palët të bien dakord për takime, të bien dakord për të zbatuar marrëveshjet e arritura tashmë dhe të bëjnë përparim aktiv në adresimin e disa prej çështjeve të pazgjidhura, duke përfshirë personat e zhdukur, energjinë dhe çështje të tjera kyçe”./GazetaSinjali/