Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë plotësisht të përfshira në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në intervistë për RTK-në, deklaroi se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe është potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
Në këtë intervistë, Escobar ka thënë më shumë detaje për planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ai ka thënë se pas diskutimeve mes dy qeverive, pritet të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut.
Progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe për stabilitetin evropian, në një kohë kur po përballemi me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe me krizat e goditjeve që pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit ka shkaktuar në të gjithë Evropën. Detajet e propozimit po diskutohen në kuadër të dialogut të drejtuar nga BE-ja. Ne e mbështesim fuqishëm: Mendoj se pas diskutimeve mes dy qeverive, të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut.
Unë kam një partneritet të plotë me homologët e mi të BE-së. Ne jemi plotësisht të angazhuar përmes vendeve të Quint-it. Për shkak se integrimi evropian është aspirata e të dyja vendeve (Kosovë e Serbi v.j), ky proces natyrisht duhet të drejtohet nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ngushtë me BE-në, me të dyja palët dhe partnerët evropianë, në mbështetje të plotë të këtij procesi. Ky angazhim është politikisht, financiarisht, përmes ngritjes së kapaciteteve dhe çdo mekanizmi tjetër që kemi për të siguruar rezultatin përfundimtar, që krijon stabilitet afatgjatë për rajonin. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në mënyrë aktive në mbështetjen e përpjekjeve të BE-së për të menaxhuar situatën aktuale”, ka thënë Esobar.