Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për mos-njohjen e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së, i cili tha se për disa nga vendet, problem është mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe mes Kosovës e Serbisë, e për disa të tjera është shpallja e pavarësisë së Kosovë, ndaj sipas tij, të njëjtat do të donin të shihnin një marrëveshje normalizimi mes Kosovës e Serbisë.
Escobar shton se “kjo është një nga arsyet pse Marrëveshja e Ohrit na ofron mundësinë më të madhe në 15 vjet për t’u partnerizuar me Qeverinë e Kosovës për të filluar jo vetëm një fushatë njohjeje rajonale apo evropiane, por një fushatë njohjeje globale”.
“Tani ajo që shumica e këtyre vendeve dëshirojnë të shohin është vullneti i mirë i Kosovës në përmbushjen e pjesës së saj të marrëveshjes, e cila është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha Escobar.
Tutje, ai tha se një nga arsyet pse e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës është që të ecë përpara drejt themelimit të Asociacionit, me mbështetjen e Amerikës, “në një mënyrë që të sigurohet që ASM-ja të mos e cenojë Kushtetutën, strukturën e tyre ligjore apo funksionalitetin e tyre”.
“Kështu që ne mund të ecim përpara këtë vit në një fushatë njohjeje. Deri më sot, nuk e kam marrë atë përafrim nga Qeveria e Kosovës”, deklaroi Escobar.