image Escobar: Gjithçka që kemi bërë në 15 vitet e fundit, ka qenë në favor të Kosovës

Politikë

Escobar: Gjithçka që kemi bërë në 15 vitet e fundit, ka qenë në favor të Kosovës

news image

Emisari i ShBA-ve Gabriel Escobar dhe ai i BE-së Mirosllav Llajçak po flasin për Këshillin e Atlantikut në lidhje me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe situatën në veri.

Escobar u pyet për akuzat se SHBA-ja dhe BE-ja janë të butë ndaj Serbisë dhe të ashpër me Kosovën.

Por, zyrtari amerikan tha se për 15 vjet, çdo gjë që ka bërë Uashingtoni ka qenë në favor të Kosovës, duke filluar nga pranimi i pavarësisë, fushata për njohjet e Kosovës, pranimi i zgjedhjeve të fundit në veri.

“Gjithçka që kemi bërë në 90 ditët e fundit, në fakt në 15 vjetët e fundit, ka qenë në favor të Kosovës. Serbia nuk ka dashur ta njohim ne pavarësinë e saj, por ne e kemi bërë. Serbia nuk ka dashur që ne të bëjmë fushatë globale për njohjen e Kosovës, por ne e kemi bërë, edhe në këto 90 ditët e fundit. Serbia donte që ne t’i bëjmë presion Kosovës, që ta braktisë idenë e zgjedhjeve [në veri], por ne nuk e bëmë. Serbia donte që ne të themi se zgjedhjet do të ishin jolegjitime, për shkak të daljes së ulët, por ne nuk e bëmë”, ka thënë Escobar në një intervistë për “Atlantic Council”.

“Unë e sfidoj këdo që të më thotë se ku kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë me Serbinë. Ne e kemi shtyrë Serbinë që të lëvizë për çështjen e letërnjoftimeve, për barrikadat, edhe për Këshillin e Evropës”, ka thënë Escobar.

Emisari amerikan thotë se ajo çfarë po i kërkohet Kosovës është e kundërta e qasjes së ashpër.

“Ndërsa, cka po kërkojmë prej Kosovës është bashkërendim dhe njohja e obligimeve të saj ndërkombëtare. Nuk mendoj që kjo është të qenit të ashpër me Kosovën. Mendoj që është krejt e kundërta”, tha Escobar.

Ky diskutim vjen dy javë pasi Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.

Ata i paraqitën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

/GazetaSinjali/