image Eroll Salihu emërohet kryetar i KAS, komenton edhe pozitën e tij në FFK

Futboll

Eroll Salihu emërohet kryetar i KAS, komenton edhe pozitën e tij në FFK

news image

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu është emëruar sot kryetar i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv (KAS), që vepron në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), për mandatin 2021 – 2024.

Duke folur rreth këtij angazhimi të ri nga ana e tij, Salihu për “KosovaPress” ka thënë se ky komision do t’ju shërbejë sportistëve, klubeve dhe federatave si instancë e fundit e drejtësisë para se çështja e caktuar të kalojë në organet ndërkombëtare.

Salihu: Ky komision do t’iu shërbejë sportistëve, klubeve, federatave dhe palëve të treta

“Ky është një këshill i Arbitrazhit Sportiv të Kosovës, kuptohet është nën ombrellën e Komitetit Olimpik. Kanë qenë nëntë kandidatë të cilët nga kuvendi, nga asambleja e Komitetit Olimpik, janë zgjedhur dhe tani brenda kornizave të këtij grupi është zgjedhur, nënkryetari dhe sekretari i përgjithshëm. Është mjet i rregullt juridik i fundit sportiv para se t’iu drejtohet gjykatave të rregullta si individ, do të thotë sportistët, si klubet, si federata por edhe palët e treta që janë të interesuara në sport. Pra është një organ profesional i udhëhequr nga juristët, sidomos nga juristët sportivë, që kanë përvojë në sport”, tha Salihu.

Salihu më tutje tregoi se angazhimi i tij në këtë këshill nuk do të thotë se do të heqë dorë nga pozita e sekretarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, sepse, sipas tij, kjo është një punë që zakonisht bëhet pas orarit dhe si rrjedhojë nuk paraqet pengesë që ai të vazhdojë të jetë pjesë e strukturave të FFK-së.

Salihu: Nuk largohem nga FFK

“Jo, jo, (nuk po larohem nga FFK) ajo është jashtë orarit të punës, zakonisht mbledhjet mbahen sepse nuk janë të përhershme, ato varësisht nga rastet, nga kontestet juridike por kurrsesi nuk përbën, është jashtë orarit të punës, madje edhe mbledhjet qe mbahen gjithmonë rreth orës 17:00 apo edhe më vonë. Kështu që është vetëm një përvojë më e mirë dhe është nder edhe për Federatën e Futbollit për ta pasur një kryetar të Këshillit të Arbitrazhit sportiv”, theksoi Salihu.

Sekretari i FFK-së më tutje ka folur edhe për ndeshjen e Konferenc Ligës ndërmjet Dritës dhe skuadrës nga Mali i ZI, Deçiç e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” më 8 korrik dhe për të cilën është duke u bërë presion që të zhvillohet në praninë e tifozëve, por se kjo, sipas tij, do të vendoset nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Salihu: Ministria e Shëndetësisë vendos nëse do të ketë tifozë në Drita – Deçiç

“Nuk e di. Klubi vet më shumë duhet të bëjë presion, por po e shihni se si është situata pandemike, edhe presidenti Ademi ka qenë me ministrin edhe të Sportit por edhe të Shëndetësisë jemi në kontakte të drejtpërdrejta. Ne nuk mund të dalim jashtë kornizave ligjore, vendimtar është vendimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjegjësisht Ministrisë së Shëndetësisë kështu që shpresojmë që një numër të na lejohet të shikuesve sepse interesimi është i madh por është kompetencë e ministrisë”, tha Salihu.

Në raundin e parë të kompeticionit më të ri të UEFA-s, Conference League, skuadra e Dritës do të përballet me ekipin malazez Deçiç. Në kuadër të kësaj gare, formati i ndeshjeve do të jetë vendas dhe mysafir, ku ndeshja e parë do të zhvillohet me datë 8 korrik në Prishtinë, ndërsa ndeshja e kthimit me datën 15 korrik. /Gazeta Sinjali Sporti/