Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, për deklaratën e sotme në Kuvend, se ai duhet t’i ulë dëmet në dialog që i kanë shkaktuar liderët e mëhershëm.
Hoxhaj ka thënë se Kurti e ka orientuar të gjithë karrierën e tij në përbaltjen e figurës së Hashim Thaçit, por thotë se kryeministri nuk mund të mbijetojë politikisht pa ish-presidentin.
“Albin Kurti nuk mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin. Tërë karrierën e tij politike e ka orientuar në përbaltjen e figurës së tij dhe kurrë nuk ia ka arritur. Edhe tani që presidentin Thaçi nuk e kemi këtu, Kurti prapë po vazhdon të merret me emrin e tij”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.
Ai thotë se zotimet e Thaçit me NATO-n kanë qenë dhe mbeten legjitime dhe si të tilla ai thotë se po zbatohen edhe nga kjo qeveri, sikur të gjitha ato paraprake.
“Përndryshe, ky kryeministër do të duhej ta dëshmonte të kundërtën duke ndërmarrë hapa konkret për anulimin e saj. Më shumë sesa për presidentin Thaçi dhe zotimet në esencë, kjo qasje e tregon për inferioritetin e tij patriotik e politik dhe mungesën e vizionit qeverisës. Por, nëse dëshiron të flasim me fakte, qe një: Albin, ti je kryeministri i vetëm në Evropë pa asnjë kontratë për vaksina”, ka përfunduar ai.
Hoxhaj nulk e ka përmendur ftesën që e ka marrë nga kryeministri Kurti për një takim gjatë javës së ardhshme, në të cilin pritet të diskutohen “çështjet me rëndësi për Kosovën”, si dhe dialogun./Gazeta Sinjali/