Si pasojë e përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë u shtua edhe nevoja për dhurim të gjakut, por pas një thirrje nga Qendra Kombëtare për Transfuzion të Gjakut, duket që gjendja është më mirë, edhe pse ende ka nevojë që qytetarët e Kosovës të dhurojnë gjak, pasi që nuk është siguruar stoku rezervë.
Behram Topalli për herë të dytë ka ardhur në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për të dhuruar gjak. Ai apelon që kushdo që është mirë me shëndet të dhuroi gjak dhe të shpëtoi jetë.
“Është hera e dytë që vijë e pash të arsyeshme ka qenë përmes mediave ka qenë për me dhurua gjak edhe ashtu me shokë ishim me dy shokë po me duket e arsyeshme ….Kush e ndien vetën shëndosh dhe mirë mundet me dhurua pse mos me dhurua është për të shpëtuar një jetë“, tha ai.
Edhe Labinot Berisha me gjithë ekipin e tij sportiv ”FC Dejn”, kishin ardhur nga rrethina e Rahovecit për të dhuruar gjak sot në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Berisha i cili ka më shumë se 20 herë që ka dhuruar gjak, thotë për KP, se dhurimi i gjakut është gjest human përmes të cilit shpëton një pacientë.
“Është diku mbi 20 herë… Klubi futbollistik përveç aktivitetit sportiv në kohën e pandemisë kemi pasur dëshirë të solidarizohemi me pacientët nëpër spitale të ndryshme dhe të përcjellim një mesazh për ndjenjën e sigurisë sonë që kemi në institucione në këtë rast Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për të dhuruar gjak. Dhe apelojmë tek të gjithë njerëzit shëndet mirë në kushte normale si zakonisht të japin gjak dhe të ndihmojnë pacientët që kanë nevojë. Ata pacientë sigurt që mund të jenë familjarët tanë, njerëzit tanë, mendoj që dhurimi i gjakut përpos që është kulturë e secili individualisht është akt human që duhet secili njeri ta kryej”, theksoi Berisha.
Futbollisti i Klubit Sportiv “FC Dejni”, Andi Berisha i cili sot po dhuronte gjak për herë të nëntë, tha se kur dhuron gjak ndihet mirë dhe e sheh si një obligim që duhet ta kryej.
Ai ka pasur edhe një mesazh për të gjithë futbollistët.
“Sot është e nënta herë që dhuroj gjak… Ndihem shumë mirë dhe në fillim e kam pasur një frikë se mos po më mundon por tani çdo vit e shoh si obligim ndaj vetës me dhënë gjak… E kisha përcjell një mesazh tek futbollistët hajde ta bëjmë nga një gol në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut”, deklaroi ky futbollist.
Në anën tjetër, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), Bukurije Zhubi për KP, thotë se qytetarët e Kosovës i janë përgjigjur kënaqshëm thirrjes së këtij institucioni për të dhuruar gjak, por sipas saj, ende duhet të vazhdohet me dhurim të gjakut, pasi që kërkesat janë të mëdha dhe stoku rezervë ende nuk është siguruar.
Ajo tha se si pasojë e përhapjes së COVID-19, është ndërprerë edhe aktiviteti i tyre për grumbullimin e gjakut nga dhuruesit në terren, gjë që ka shkaktuar mungesa prandaj edhe gjendja e rezervës së gjakut ka qenë kritike.
“Duke pasur parasysh që kërkesat e gjakut kanë qenë jashtëzakonisht të mëdhaja dhe në anën tjetër edhe kemi pasur pak të ulur numrin e dhuruesve jemi detyruar që ta bëjmë një lajmërim të tillë meqenëse gjendje e rezervës që gjakut ka qenë në gjendje kritike. Përgjigja e dhuruesve është e kënaqshme, por ajo që është e rëndësishme është që duhet të ketë një vazhdimësi dhurimit të gjakut, sepse kërkesat nuk rreshtin. Nuk është që i kemi kërkesat vetëm sot dhe ato që i kemi grumbulluar gjatë këtyre ditëve të jenë të mjaftueshme për një kohë të caktuar, por duhet dhurimi të vazhdojë tutje në mënyrë që ta kemi stokun dhe rezervën të mjaftueshme që t’i dalim krah pacientit i cili është në nevojë për të… Dhurimi ka qenë i bollshëm, por edhe kërkesat kanë qenë të bollshme ende nuk kemi arritur. Duhet ende me dhurua gjak për të arritur stokun rezervë, i cili duhet me qenë në çdo Qendrës të Transfuzionit të Gjakut. Ende jemi në ato rezervat e kuqe. Duhet prapë të dhurohet me dhurimin vullnetar të gjakut për të qenë ne gati dhe me iu ofrua ndihmë pacientit”, theksoi ajo.
Zhubi tha se për dallim prej herëve të tjera kur ka mungesa të grupeve të gjakut negativ, gjatë kësaj kohe ka pasur edhe mungesa të grupeve të gjakut të zakonshme.
Klinikat të cilat kryesisht kanë shprehur nevojë më të madhe për gjak ishin ajo e Hematologjike, Onkologjike, Qendra Emergjente etj.
“Kryesisht kanë qenë këto grupet negative të cilat janë në mungesë si në çdo vend edhe në vendin tonë. Por duke iu falënderua dhuruesve të gjakut që kanë ardhur në vazhdimësi na kanë mbuluar t’i mbulojmë edhe këto raste të rralla siç janë 0 negativ, A negativ, B negativ dhe AB negativ. Mirëpo, neve kemi pasur ndonjëherë mungesë edhe për grupet e zakonshme në kuptim të asaj që disa produkte të gjakut që përfitohet prej gjakut duhet të bëhen prej gjakut të freskët. Domethënë prej dhuruesit që ka dhënë tani për tani dhe ndonjë herë kemi pasur mungesa edhe të grupeve tjera të zakonshme, jo që nuk i kemi pasur neve në stok por që shkaku ka qenë që ato duhet me qenë të posadhuruara”, tha Zhubi.
Zhubi thotë se gjatë kohës së pandemisë kërkesa për gjak kanë pranuar edhe nga Klinika Infektive dhe që u kanë dal në ndihmë pavarësisht mungesave.
“Edhe pacientët të cilët kanë qenë të prekur me COVID-19 janë trajtuar me gjak dhe produkte të gjakut kështu që edhe ne kemi qenë azhur ndaj këtyre rasteve dhe aty asnjëherë nuk iu ka munguar ndihma as nga Klinika Infektive as nga ne pavarësisht rezervës së gjakut që e kemi pasur”, u shpreh ajo./Gazeta Sinjali/