Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për arrestimin e një 22-vjeçari në Gjakovë, i cili dyshohet se ka kërcënuar një person, në një parking privat, në rrugën “Sefedin Xërxa”. Arrestimi i tij erdhi pas denoncimit të 52-vjeçarit, i cili raportoi në Polici se i riu e kërcënoi dhe iu vërsul me një thikë.
Burimet brenda Prokurorisë thonë për Sinjalin se personi që po dyshohet për këtë rast është Nikoll Domgjoni, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Gjithçka dyshohet se ndodhi në parking, ku viktima e kapi mat të riun duke tentuar t’ia hap veturën që e kishte të parkuar. Në ato momente, 52-vjeçari iu ishte drejtuar të dyshuarit se “çfarë po bën te vetura e tij” dhe ky i fundit ia kishte kthyer se “kerret 01 po i heki krejt prej ktuhit”, duke nxjerrë më pas një thikë.
I riu dyshohet se iu vërsul 52-vjeçarit, duke e kërcënuar, çka e shqetësoi atë në masë të madhe dhe u detyrua ta njoftojë Policinë.
Njësitë policore u aktivizuan me të marrë informacionin dhe arrestuan të dyshuarin, nga i cili u konfiskua edhe mjeti i mprehtë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.