image Emmerson: Gjykata Speciale diskriminon Veselin, është kthyer në gjykatë të jashtëzakonshme - Sinjali

Emmerson: Gjykata Speciale diskriminon Veselin, është kthyer në gjykatë të jashtëzakonshme

news image

Duke gjykuar në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe anashkaluar të drejtën vendore, mbrojtja konstaton se Gjykata Speciale po diskriminon Kadri Veselin në raport me të akuzuarit të tjerë në rrethana të ngjashëm, dhe si rrjedhojë po sillet si gjykatë e jashtëzakonshme në kundërshtim të nenit 103(7) të Kushtetutës së Kosovës.

Mbrojtja e ish Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, ka ankimuar në Dhomën e Apelit të Gjykatës Speciale një vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake që lidhej me shkelje kushtetuese, konkretisht e drejta e barazisë para ligjit dhe garancia kundër gjykatave të jashtëzakonshme.

Duke gjykuar në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe anashkaluar të drejtën vendore, mbrojtja konstaton se Gjykata Speciale po diskriminon Kadri Veselin në raport me të akuzuar të tjerë në rrethana të ngjashëm, dhe si rrjedhojë po sillet si gjykatë e jashtëzakonshme në kundërshtim të nenit 103 (7) të Kushtetutës së Kosovës.

Ekipi i avokatëve, i udhëhequr nga Ben Emmerson, ka konstatuar se Dhomat e Specializuara po zbatojnë një ligj material të ndryshëm nga gjykatat e tjera të Kosovës, në shkelje të parimit të barazisë para ligjit dhe mbrojtjes kundër diskriminimit, duke e kthyer de facto Gjykatën Speciale në gjykatë të jashtëzakonshme.

Mbrojtja thekson se gjykimet për krime lufte në Kosovë, nga gjykatat vendore, bëhen bazuar mbi ligjet e kohës kur ka ndodhur krimi – e që në këtë rast është aplikuar Kodi Penal i ish Jugollsavisë.

“Nga njëra anë Dhomat e Specializuara zbatojnë të drejtën ndërkombëtare, ndërsa gjykatat e tjera vendase vazhdojnë të zbatojnë ligjin vendas të kohës (Kodi Penal i ish Jugosllavisë). Momentalisht janë dymbëdhjetë raste që po gjykohen në gjykata të tjera të Kosovës sipas Kodit Penal të ish Jugosllavisë”, ka shkruar mbrojtja në mocionin e saj, që tashmë është publik në faqen e Dhomave të Specializuara.

Mbrojtja shton se “nuk ekziston ndonjë mekanizëm që të vlerësojë vendimmarrjen e Prokurorit të Specializuar për të gjykuar një person para Dhomave të Specializuara. Pra, nuk ka ndonjë kontroll se si prokuroria e zbaton këtë fuqi të jashtëzakonshme”.

Më tutje, avokatët e Veselit pohojnë se ndonëse formalisht Ligji për Dhomat e Specializuara thekson se ka për qëllim gjykimin e personave të dyshuar që lidhen me raportin e KiE (Raporti i Dick Marty), sipas vendimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake kategoria e të akuzuarve potencialë para Dhomave të Specializuara është mjaft e gjerë, duke përfshirë pothuajse çdo krim lufte të kryer gjatë konfliktit me forcat serbe, duke përfshirë këtu edhe rastet që momentalisht po gjykohen para gjykatave të tjera të Kosovës.

“Në çdo rast, nuk ka asnjë justifikim se përse personat e dyshuar në raportin e Këshillit të Evropës duhet të gjykohen sipas një ligji material të ndryshëm, në kundërshtim me parimin e barazisë para ligjit”.

Sipas mbrojtjes së Veselit, Gjyqtari i Procedurës Paraprake gaboi duke u mbështetur ekskluzivisht mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin e Dhomave të Specializuara.

“Gjykata Kushtetuese nuk vendosi mbi kushtetutshmërinë e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por për Amendamentin Kushtetues që mund të lejonte në të ardhmen ngritjen e një gjykate të specializuar. Gjykata Kushtetuese nuk ishte në dijeni të faktit se Dhomat e Specializuara do të zbatonin një ligj material të ndryshëm nga ai vendas. Është i pasaktë konstatimi se Gjykata Kushtetuese ishte në dijeni të ‘kontureve të dhomave të specializuara’ në bazë të Shkëmbimit të Letrave, pasi kjo e fundit nuk parashikonte zbatimin e një ligji material të ndryshëm. Përkundrazi, Gjykata Kushtetuese ishte e bindur se Dhomat e Specializuara do të vepronin ‘brenda kornizës ligjore të drejtësisë kriminale” dhe në mënyrë të ngjashme me Dhomën Speciale të Gjykatës Supreme mbi Agjencinë e Privatizimit të Kosovës, e cila vepron në bazë të rregullave të veçanta të procedurës, por zbaton ligjin e brendshëm të Kosovës”.

Në këtë mocion, mbrojtja ka cituar Komisionin e Venecias se kur një gjykatë mund të cilësohet si e jashtëzakonshme.

“Sipas Komisionit të Venecias, një nga kriteret themelore të përcaktimit nëse një gjykate është e jashtëzakonshme lidhet me faktin nëse gjykata ka fuqi speciale dhe nëse zbaton procedura të ndryshme nga ato që aplikohen në gjykatat ekzistuese. Ky parim gjen konfirmim edhe në praktiken e GJEDNJ-së e cila në rastin Bahaettin Uzan v. Turkey konstatoi se gjykata në fjalë nuk ishte e jashtëzakonshme pasi “nuk zbatonte një kuadër ligjor të ndryshëm” nga gjykatat e tjera vendase”.

“Ironikisht, për të justifikuar kushtetutshmërinë e Dhomave të Specializuara, prokuroria u bazua në praktiken e Dhomave të Jashtëzakonshme Afrikane në Senegal; Tribunalin Special të Libanit, ose Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias. Në fakt këto gjykata janë: i) ndërkombëtare dhe ii) të jashtëzakonshme. Ndonëse këto gjykata janë të ligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, ato janë të ndaluara nga Neni 103 (7) i Kushtetutës”.

“Neni 103, pika 7 në Kushtetutën e Kosovës shprehimisht nuk parasheh gjykatë të jashtëzakonshme.   “Gjykata të specializuara mund të themelohen me ligj kur kjo të jetë e nevojshme, por në asnjë mënyrë nuk mund të themelohen gjykata të jashtëzakonshme”, thuhet në këtë pikë. Mbrojtja në fund thekson se “karakteri ‘vendas’ i Dhomave te Specializuara nuk u vendos kurrë në dyshim edhe nga partnerët ndërkombëtare që kërkuan themelimin e Dhomave. Për shembull, deklaratat e ambasadoreve te SHBA-së, Mbretërisë se Bashkuar, apo të Vendeve të Ulëta, konfirmonin shprehimisht se gjykata e re do te vepronte sipas ligjeve të Kosovës, dhe në asnjë mënyrë nuk do të ishte një gjykatë ndërkombëtare”.  

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin