image Emisari gjerman: S’e lejojmë të hidhet poshtë Marrëveshja e Ohrit për vendime budallaqe

Politikë

Emisari gjerman: S’e lejojmë të hidhet poshtë Marrëveshja e Ohrit për vendime budallaqe

news image

Emisari gjerman, Manual Sarrazin, sot ka ardhur në Kosovë për një vizitë zyrtare, një ditë pas tensioneve.

Ai tha se është këtu për të përçuar një mesazh se nuk e lejojnë të hidhet poshtë ajo që është arritur në Ohër për shkak të, siç tha ai, vendimeve budallaqe.

“Mesazhi im sot është se ne nuk do të lejojmë që Marrëveshja e Ohrit të hidhet poshtë për shkak të vendimeve budallaqe”, tha ai sot para gazetarëve.

Sarrazin tha se BE është një zonë hapësirë e rendit të ligjit dhe natyrisht garantimi i sundimit të ligjit, demokracisë dhe lirive të njerëzve është elementi kryesor, për të cilin angazhohen të gjitha shtetet që synojnë të anëtarësohen në BE, por se jo gjithmonë veprimet ligjore sjellin qëllimet e synuara politike.

“Mirëpo, jo çdo veprim ligjor është veprim politikisht i drejtë. Nganjëherë në vend se ato të jenë veprime të duhura mund të shihen si të kundërta me qëllimin për të vendosur zbatimin e ligjit”.

Ai tregoi edhe pse vendosi të vijë në Kosovë.

“Dje pasdite në mënyrë spontane kam vendosur të vij në Kosovë, sepse jemi shumë të shqetësuar për situatën. Dua të them se dje ishte një ditë shumë e rëndë dhe e keqe për Kosovën dhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se prej se e ka marrë mandatin si i Dërguar i Posaçëm i Gjermanisë për rajonin përpiqet që të punojë me kolegë të tij nga Bashkimi Europian apo edhe përfaqësues të shteteve anëtare.

“Punoj dhe angazhohem çdo ditë që të kemi lajme më të mira nga rajoni dhe natyrisht ky është qëllimi ynë, i cili do të na ndihmojë më pas që të ecim para në rrugën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Me lajme të mira dhe pozitive. Marrëveshja e arritur disa javë më parë në Ohër nën lehtësimin e Borrellit dhe Lajçakut tha se është një mundësi e mirë për të sjellë këto lajme të mira, në mënyrë që ta vendosin rajonin në një trajektore pozitive për rajonin drejt BE-së.

“Unë e kuptoj që për disa njerëz në Republikën e Kosovës deklaratat që vijnë ose kanë ardhur javëve të kaluara nga Beogradi rreth Marrëveshjes së Ohrit s’kanë qenë lehtë të kuptueshme apo të pranueshme. Por, secili politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësinë për veprimet e veta. Dhe natyrisht nëse ndjenja e ndonjërit është se gjërat nuk janë duke shkuar si duhet atëherë gjërat nuk duhet të përkeqësohen me vendime të pamatura”.

Ai ka thënë se këto veprime nuk janë rruga drejt përafrimit në procesin e anëtarësimit në BE.

/GazetaSinjali/