image Emisari britanik ia shpreh Kurtit gatishmërinë për të ndihmuar në dialogun me Serbinë

Politikë

Emisari britanik ia shpreh Kurtit gatishmërinë për të ndihmuar në dialogun me Serbinë

news image

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur sot në takim emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach. Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Peach diskutuan për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

ZKM thotë se Kurti e falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë.

Mbretëria e Bashkuar është partner i Kosovës i domosdoshëm për zhvillim dhe siguri, tha kryeministri duke mirëpritur emërimin e emisarit Peach si veprim i duhur që do t’u kontribuojë proceseve politike në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin, theksoi Kryeministri”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët, tha kryeministri Kurti. Ai  ritheksoi që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara”, thuhet në komunikatë.

/GazetaSinjali/