Shaban Spahiu është emëruar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, pozitë të cilën do ta mbajë deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, shkruan Gazeta Sunjali.
Këtë vendim e ka marrur sot Këshilli Prokurorial i Kosovës i drejtuar nga kryesuesi, Bahri Hyseni.
Takimi i sotëm ka nisur me prezantimin e listës me emrat e prokurorëve që kanë aplikuar për pozitën e kryeprokurorit në Prokurorinë e Apelit dhe 7 prokuroritë themelore, ndërsa u tha se lista nuk është përfundimtare, sepse duhet pritur edhe aplikimet eventuale, që mund të vijnë përmes postës.
Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka shqyrtuar dhe miratuar raportin 9-mujor, janar-shtator 2020, për veprat penale karakteristike të Mekanizmit përcjellës ndërinstitucional dhe dokumentin për politikat e trajnimit për prokurorët dhe stafin administrativ të sistemit prokurorial.
Po gjatë këtij takimi, zyrtari i Burimeve njerëzore, Sajmir Gjoci, është caktuar zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin prokurorial, paraprakisht anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, votuan për lirimin nga detyra të zyrtarit që deri sot e ka ushtruar këtë pozitë.
Në fund të këtij takimi, është miratuar vlerësimi i dytë i performancës në mandatin fillestar të 20 prokurorëve të shtetit, të cilët do të propozohen tek institucioni i presidentit të Republikës së Kosovës për dekretim me mandat të përhershëm./Gazeta Sinjali/