image Emërime në shkelje të ligjit në NPL 'Ambienti' në Pejë, Arton Muhaxheri i PDK-së kap postin e drejtorit në bord

Politikë

Emërime në shkelje të ligjit në NPL ‘Ambienti’ në Pejë, Arton Muhaxheri i PDK-së kap postin e drejtorit në bord

news image

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ish-asamblist i kësaj partie në komunën e Pejës, Arton Muhaxheri është zgjedhur drejtor i bordit të drejtorëve në Ndërmarrjen publike ‘Ambienti’ në Pejë, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Ai ka konkurruar për pozitën e drejtorit në këtë ndërmarrje përkundër që nuk e ka plotësuar njërin nga kriteret e kualifikimit. Pavarësisht kësaj, Komisioni Komunal i Aksionarëve e ka zgjedhur drejtor të bordit, raporton Gazeta Sinjali.

Vendimi për zgjedhjen e drejtorëve të këtij bordi është marrë më 29 gusht nga Komisioni Komunal i Aksionarëve të NPL ‘Ambienti’ Pejë, ku përveç Muhaxherit, si drejtorë janë zgjedhur edhe Shpëtim Gashi, Alberita Shala dhe Fisnik Ademi.

Vendimi për zgjedhjen e drejtorëve të bordit

Arton Muhaxherin nuk e ka zmbrapsur as ligji për të konkurruar, ndonëse një gjë e tillë parashihet me ligjin për ndërmarrjet publike, sipas të cilit asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjidhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrjeje publike.

Refuzimi i Muhaxherit për t’u deklaruar për emërimin e tij si drejtor

Megjithatë, ai thotë se që “shumë kohë” nuk ka asnjë funksion në parti, por që e vëreta qëndron ndryshe, pasi Muhaxheri ka qenë nënkryetar i PDK-së në Pejë dhe bartës i listës së PDK-së në këtë komunë, në zgjedhjet e fundit lokale.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar Muhaxherin për të marrë një deklaratë për zgjedhjen e tij në këtë pozitë, por i njëjti ka refuzuar të flasë në detaje, duke thënë se ka “bindje politike si secili qytetar”.

“Bindjet e mia jane bindje te mia politike qe secili qytetar i Kosoves i ka ashtu siq i kam edhe une. Por aktualisht ka shume kohe qe nuk kam asnje funskiosn ne parti dhe kjo eshte e tera qe dua te them ne lidhje me kete teme.”, tha Muhaxheri. Ai është pyetur sërish se kur ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, por nuk ka kthyer përgjigje.

Muhaxheri ishte zgjedhur asamblist në zgjedhjet e fundit lokale, pozitë kjo nga e cila ka dhënë dorëheqje në fund të vitit të kaluar, me arsyetimin se “do të përkushtohet në pozitën e nënkryetarit të PDK-së dhe rritjen e kësaj partie në Komunën e Pejës.”

Këto zhvillime kanë ndodhur pesë muaj para se të hapet konkursi për drejtor të bordit të drejtorëve të NPL ‘Ambienti’, që i bie se është shkelur neni 17, i Ligjit për Ndërmarrjet Publike, shkruan Sinjali.

Kjo pikë ka qenë edhe pjesë e konkursit, ku thuhej se kandidatët nuk kualifikohen për drejtor nëse: “Është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;”

Konkursi-per-Bordin-i-Drejtoreve-Ambient-SH.A-1-2

Pavarësisht se Muhaxheri ka pasur post udhëheqës në PDK brenda kësaj periudhe 36 mujore, Komisioni Komunal i Aksionarëve e ka zgjedhur atë në mesin e drejtorëve të bordit të ndërmarrjes ‘Ambienti’.

Vendimi i Komisionit Komunal të Aksionarëve

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Agron Nikçin nga Komuna e Pejës, i cili ka qenë pjesë e Komisionit Komunal, për ta pyetur se si është bërë kualifikimi dhe përzgjedhja e kanidatëve.

Nikçi është arsyetuar se kanë vepruar në bazë të kushteve dhe kritereve të konkursit, duke përmendur edhe betimin që kanë dhënë aplikuesit për drejtorë.

“Duke ju referuar kërkesës/informatës suaj të mësipërme ju njoftoj se ne si KKA, i NPL “Ambienti” Sh.A. Pejë kemi vepruar bazuar në kushtet dhe kriteret të konkursit me numër 01-111/01-0054227/22 të datës 24.05.2022, me ç’rast në mesin e dokumenteve dhe dëshmive të kërkuara nga të gjithë aplikuesit ka qenë Deklarata nën Betim përmes së cilës ata kanë deklaruar dhe garantuar se i përmbushin kushtet e kualifikimit, pavarësisë dhe përshtatshmërisë profesionale sipas Ligjit nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike me ndryshimet dhe plotësimet e bëra në Ligjin nr. 04/L-111 dhe Ligjin nr. 05/L-009.”

Pra i bie se edhe Muhaxheri, i cili ka pasur post udhëheqës në parti pak muaj para se të aplikonte, ka garantuar se i përmbush kushtet e kualifikimit.

Tutje Nikçi tha se nëse njëri nga drejtorët e zgjedhur ka dhënë deklaratë të rrejshme, do të marrin veprimet e nevojshme ligjore.

“Në rast se ndonjëri/a nga të zgjedhurit në këtë bord ka bërë deklaratë të rrejshme (nën betim), atëherë ne i inkurajojmë organet relevante të marrin masat adekuate ndaj tij dhe po ashtu edhe ne si KKA konform ligjit do të ndërmarrin veprimet e nevojshme. Ne garantojm që procesi ka shkuar në mënyrë transparente profesional dhe i pa anshëm.”

Çka thotë kryetari i PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti?

Se Muhaxheri ka qenë në pozitën e nënkryetarit deri kur ka aplikuar e ka konfirmuar për Sinjalin edhe kryetari i PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti, po i cili ka thënë se Muhaxheri ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

As Muhaxheri e as Haliti nuk kanë dhënë datë për vendimin për dorëheqje, e as detaje për Këto zhvillimet.

Por ndryshe del të jetë në postimet e fotografitë e publikuara nga kjo parti, ku Muhaxheri është parë krah Halitit, në vizitat e zhvilluara edhe pasi ka konkurruar për drejtor të NPL ‘Ambienti’.

Përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur, sipas një interpretimi të ligjit për Ndërmarrjet Publike nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria për Zhvillim Ekonomik në vitin 2018.

Kujtojmë se Sinjali edhe para dy vitesh ka raportuar se si bordi i kësaj ndërmarrje publike ishte “zaptuar” nga figurat e larta të PDK-së në Pejë, në mesin e të cilave ishte edhe Muhaxheri.

/GazetaSinjali/