Në mbledhjen e fundit të qeverisë në largim e cila u mbajt të mërkurën në mesditë janë marrë 11 vendime. Nga themelimi i Grupit Punues për themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane dhe vazhdimi i mandatit të dy drejtorëve, e deri te miratimi i programeve, rregulloreve dhe propozimeve të ndryshme, qeveria mori vendime të rëndësishme më shumë se 3 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Me vendimin të kabinetit qeveritar është themeluar Grupi Punues për themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane. Ky Grup Punues do të ketë për detyrë të identifikojë legjislacionin, lokacionin, procedurat dhe të gjitha çështjet tjera relevante që mundësojnë themelimin e Zonës së Ekonomike Zvicerane. Si rezultat grupi punues do ta përgatisë tërë dokumentacionin relevant bazuar në legjislacionin në fuqi që i mundëson qeverisë së Kosovës ta themelojë Zonën Ekonomike Zvicerane.
Kryesues i këtij Grupi Punues është zgjedhur këshilltari i Haradinajt, Muhamet Spahiu. Gjithashtu, do të jenë 9 anëtarë që do ta përbëjnë këtë grup si dhe dy anëtarë nga pala zvicerane.
Me një vendim tjetër, drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike i është vazhduar mandati për një periudhë 3 vjeçare.
Edhe drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës i është vazhduar mandati për 3 vjet. Fidaim Sahiti, sipas vendimit do të kryejë të gjitha detyrat dhe pergjegjesitë e percaktuara me legjisIacionin në fuqi.
Nga kabineti qeveritar ka marrë aprovimin edhe Programi për Reforma në Ekonomi i vitit 2020. Ministria e Financave këtë dokument do ta dorëzojë tek zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Programin për Reforma në Ekonomi do t’ia procedojë për informim Kuvendit të Kosovës.
Programi për Reforma në Ekonomi dorëzohet në Komisionin Evropian në baza të rregullta vjetore dhe përgatitet nga Zyra për Planifikim Strategjik pranë Zyrës së Kryeministrit, Departamentit për Politika Ekonomike dhe Publike në kuadër të Ministrisë së Financave dhe koordinatorët e ministrive përkatëse dhe është mjet përmes të cilit Komisioni Evropian monitoron performancën e Kosovës si shtet kandidat potencial në transformimin e ekonomisë dhe arritjen e standardeve të tregut evropian.
Në mbledhjen e së mërkurës qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për standardet e organizimit të brendshëm, sistematizimin e vendeve të punës dhe bashkëpunimin në institucionet e administratës shtetërore dhe agjencitë e pavarura.
Qeveria i ka rekomanduar presidentit të Kosovës që ta autorizojë Ministrinë e Financave për nënshkrim të marrëveshjes së kredisë ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Unikredit Bank Austria AG, për financimin e projektit “Krijimi Qendrave e-Testuese dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të shërbimeve të e-Arsimit për arsimin para universitar në Kosovë”. Shuma e kredisë së negociuar është 4 milionë e 998 mijë.
Edhe vendimi për aprovimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e transportit rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, është miratuar të mërkurën në mbledhjen e qeverisë.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik për pronat që preken nga zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit dhe prodhim të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës në zonën kadastrale të Shipitullës në komunën e Obiliqit.
Në mbledhje gjithashtu është aprovuar Rregullorja për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Kushtrim Cukaj është emëruar koordinator Nacional për Donacione, IPA, TAIEX dhe programet tjera që ofrojnë donacione për Kosovën.
Për nevojat e pagesës së 12 punonjësve të angazhuar në Rezidencën “Ibrahim Rugova” për vitin 2020, qeveria ka ndarë 57 mijë e 944 euro.
Ndonëse kanë kaluar tre muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, qeveria e Ramush Haradinajt vazhdon të jetë në detyrë. Që nga dorëheqja e Haradinajt tash e gjysmë viti, kjo qeveri ka mbajtur disa mbledhje dhe ka marrë dhjetëra vendime. /Gazeta Sinjali/