image Elsa Kqiku do ta përfaqësojë Kosovën në Garat Botërore të Fizikës në Japoni

Arsim

Elsa Kqiku do ta përfaqësojë Kosovën në Garat Botërore të Fizikës në Japoni

news image

Elsa Kqiku, nxënëse e klasës së dhjetë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan do ta përfaqësojë Kosovën në Garat Botërore të Fizikës, që do të mbahen në Japoni, shkruan Gazeta Sinjali.

Ambiciet e Elsës për të marrë pjesë në këtë garë kishin nisur qysh në vitin e kaluar, kur ajo përfaqësoi Kosovën në Garën Evropiane të Fizikës.

“Duke pasur parasysh se vitin e kaluar përfaqësova Kosovën në Garën Evropiane të Fizikës, e cila pretendohej te mbahej në Rumani, por për shkak te pandemisë kjo garë u mbajt Online. Megjithatë rezultatet e mia nuk u ndikuan nga kjo gjendje. Mora pjesë në Garë, duke dalë me rezultate edhe më të larta sesa pjesëtarët e klasës Xll”, thotë Elsa që ka shtuar se që nga atëherë, ka vendosur që përsëri të merr pjesë në Vitin e ardhshëm.

“Kështu, duke kaluar së pari nga Gara Komunale, vazhdova në Garë Republikane që do të mbahej më 28 shkurt të këtij viti. Më 02.03.2021 dolën rezultatet duke u shënuar përsëri Vendi 1 për klasat e X-ta.  Si Vendi 1 nga gjenerata ime, do të jem përfaqësuese e Kosovës në Garat Botërore të Fizikës te cilat do të mbahen në Japoni”, tha ajo.

“Me punë të palodhshme dhe pretendime te mëdha, shpresoj të jap më të mirën time në Garë Botërore të Fizikës, duke bërë krenarë edhe më tutje personat që më kanë mbështetur gjer më tani”, ka theksuar nxënësja e shkëlqyeshme Elsa Kqiku.

Për suksesin e arritur edhe drejtoria e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” e ka nderuar Elsën me një mirënjohje.

Drejtori i Shkollës, Bekim Mustafa, ka theksuar se ky sukses i Elsës e ka bërë krenare shkollën tonë dhe se duke e ditur se çfarë punëtore është Elsa, nuk dyshojnë në suksesin e saj edhe në garat botërore.

Edhe Bukurije Sylejmani – Maksuti, mësimdhënëse e Fizikës, ka theksuar se Elsa është shumë e motivuar në lëndën e fizikës.

Sipas saj, Elsa gjithnjë është e përgatitur për orë mësimore, duke treguar edhe njohuri shtesë, gjë e cila e bënë atë të veçantë.

Armend Limani, kujdestar i klasës X-4, në të cilën është nxënëse edhe Elsa Kqiku, ka theksuar se sukseset e Elsës dhe nxënësve të tjerë e bëjnë atë dhe mësimdhënësit tjerë krenarë.

Suksesi i Elsës është motiv shtesë edhe për nxënësit tjerë.

Kolektivi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” i uron suksese Elsës në garat botërore./Gazeta Sinjali/