Pak nga pak, Kosova po fiton më shumë njohje përbrenda Bashkimit Evropian. Më e fundit, me fillimin e vitit të ti, ka qenë hyrja në fuqi e marrëveshjes së prillit të kaluar me Parlamentin Evropian që iu mundëson qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë pa viza në Schengen, zona e lëvizjes së lirë që përfshin 23 shtete anëtare të BE-së bashkë me Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Kështu shkruan e përditshmja spanjolle, “El Periodico Espana”, me bazë në Madrid, që është edicioni spanjoll i medias me bazë në Katalonjë, “El Periodico (de Catalunya)”.
Më tej shkruan se si masa e re iu mundëson kosovarëve që të hyjnë dhe qëndrojnë për maksimumi 90 ditë (e ripërtërishme pas gjashtë muajsh) në vendet e bllokut. Për këtë të arritur, Prishtina ka punuar që kur shpalli pavarësinë më 2008 (me të cilën ajo u nda përfundimisht nga Serbia), rreth 16 vjet më parë.
“Kjo i jep fund anomalisë kosovare, e cila vitin e kaluar paraqiti kandidaturën për anëtarësim në BE, por që është po ashtu u vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka gëzuar lirinë e lëvizjes në Schengen në raport me vendet e rajonit. Në këto rrethana, kryeministri kosovar Albin Kurti shkoi në aeroportin e Prishtinës të hënën për të përshëndetur grupin e parë të pasagjerëve që po shkonin për në Vjenë”, shkruan “El Periodico Espana”.
Polemika me Spanjën
Në anën tjetër, ajo që nuk merr fund është polemika me Spanjën, një vend që nuk ka kundërshtuar masën e heqjes së vizave, por ka mbajtur një raport konfuz se si do ta trajtojë vendimin e marrë, shkruan më tej ky medium.
Prillin e kaluar, zëdhënës për Drejtësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, zbuloi se Spanja ishte i vetmi vend që kundërshton njohjen e “dokumenteve të udhëtimit të Kosovës”. “Qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm me vizat e tyre në të gjitha përpos një vendi të Schengenit”, tha ai. “Spanja sërish është e tmerrshme në këtë rast”, ishte komenti i gazetares Una Hajdari në X, ish-Twitter, një nga komentet e shumta të cilët kohëve të fundit kanë kritikuar sjelljen e Spanjës në media sociale.
Kjo e arritur u kremtua nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, spanjolli Josep Borrell. “Një vendim historik i BE-së po hyn në fuqi. Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në zonën pa viza të BE-së nga sot. Kjo i sjell benefite të rëndësishme si Kosovës, ashtu edhe BE-së”, shkroi Borrelli në profilin e tij personal në X.
Edhe më i gëzuar ishte eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, nga partia Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, i cili urimin e këtij veprimi e shoqëroi me tekstin “Kosova është Evropë”.
“Më në fund! Pas vitesh vonesa krejtësisht të panevojshme, heqja e vizave për udhëtim në BE hyn në fuqi për të gjithë qytetarët e Kosovës. Hapi tjetër: procesimi i aplikacionit për statusin e kandidatit”, tha Reuten.
“El Periodico Espana” thekson në fund se vendimi vjen pak kohë pasi Serbi në mënyrë të papritur vendosi që të lejojë veturat me targa të Kosovës të hyjnë në vend, duke i dhënë fund një krize që ishte intensifikuar gjatë dy viteve të fundit teksa presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përballet me një valë të re protestash qytetare kundër tij.