Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit njofton se sot ka bërë ekzekutimin e pjesës së dytë të mjeteve në mbështetje financiare për bizneset e Kosovës në kuadër të Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike.
Sipas kësaj ministrie, shuma e ekzekutuar kap vlerën e 16 milionë e 424 mijë e 476 euro për gjithsej 11 mijë e 244 biznese të cilat i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e parapara.
Ndërsa, dy ditë më parë MEA ka bërë pagesën e parë në vlerë prej 37,710,730 euro subvencione për 15 mijë e 474 biznese.
Kjo shumë ndahet në zbatim të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike i miratuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës ku vlera totale është 60 milionë euro.
Pjesa tjetër e vendimit do të zbatohet në ditët në vijim ku do të përfitojnë të gjitha bizneset, të cilat kanë aplikuar sipas kritereve të parapara.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në prezantimin e këtij propozimi në mbledhje të Qeverisë, kishte thënë se, kjo përfshinë edhe bizneset e reja të regjistruara nga fillimi i vitit deri në muajin gusht 2020.
Ndërsa, lidhur me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në Facebook, ka publikuar një tabelë dhe tregon që më së shumti do të përfitojnë bizneset e vogla deri në 50 punëtorë.
Kujtojmë që, të hënën, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për ka votuar në lexim të parë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Dhe me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Gazeta Sinjali/