image Ekstradohet në Gjermani terroristi i ISIS-it nga Taxhikistani, erdhi në Shqipëri për ta ekzekutuar një biznesmen

Shqipëri

Ekstradohet në Gjermani terroristi i ISIS-it nga Taxhikistani, erdhi në Shqipëri për ta ekzekutuar një biznesmen

news image

Është kryer ekstradimi nga Tirana drejt Gjermanisë, i Komron Zukurov, 24 vjeç, i lindur në Dushanbe të Taxhikistanit.

Ai dyshohet se në Shqipëri kishte ardhur për ta ekzekutuar biznesmenin Albano Aliko, për të cilën do të paguhej me 40 mijë dollarë.

Zukurov ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden në Gjermani, pasi autoritetet gjyqësore të Gjykatës Federale në Karlsruhe kishin lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar ndaj tij, pasi akuzohet se është anëtar i një organizate të huaj terroriste.

Ky person, së bashku me personat e tjerë të akuzuar, i udhëhequr nga një besim radikal fundamentalist ngriti një qelizë komanduese në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë, me qëllim që të ndërmerrte “xhihad” në emër të “ISIS”, në kuptimin e një lufte të armatosur kundër “jobesimtarëve” në Gjermani dhe jashtë saj. Sipas raporteve, ai kishte për qëllim kryerjen e sulmeve në Gjermani ose Taxhikistan duke përdorur armë zjarri dhe eksplozivë.

I riu është kapur më datë 29 prill nga Drejtoria e Antiterrorit në Tiranë, pas një punë investigative dhe falë shkëmbimit me homologët e antiterrorit në Gjermani. /Gazeta Sinjali