Fara e dyshimtë e grurit “Mandica” që ka hyrë ilegalisht në Kosovë dhe nuk është e lejuar të përdoret për mbjellje, është vlerësuar si shqetësuese nga profesori i Prodhimtarisë Bimore, Imer Rusinovci.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, ekspert i bujqësisë, Imer Rusinovci ka thënë se Ministria e Bujqësisë është përgjegjëse për këtë farë të grurit e cila është importuar ilegalisht.
“Nuk është në rregull! Për këtë punë duhet më u përgjigj ministria se është në kompetencë të përcjellë atë punë, por në pjesën shkencore, me më sjellë diçka e interpretoj dysh dush, qysh dalin rezultatet.”, ka thënë Eksperti i bujqësisë.
Rusinovci shton se farërat që importohen në Kosovë duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të cilat janë të parapara me ligjin vendor si dhe të Unionit Evropian.
“Një farë që hynë në Kosovë duhet tu nënshtrohen ligjeve të Kosovës, duhet tu nënshtrohet standardeve për aftësinë mbirëse, dhe duhet të jetë në kuadër të direktivave që parasheh legjislatura jonë dhe Unioni Evropian, kjo është standard.”, ka thënë ai.
Ditë më parë, drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci, ka deklaruar për Gazetën Sinjali se sasia e grurit të dyshimtë që ka hyrë ilegalisht në Kosovë është me prejardhje nga Kroacia dhe se ky lloj i grurit nuk është e lejuar që të përdoret për mbjellje.
“Është një varietet “Mandica” që ka prejardhje nga Kroacia, që ka hyrë ilegalisht. Ajo nuk lejohet me u përdorë për mbjellje, nuk e dimë si ka hy në Kosovë. Gjatë hulumtimit dy vjeçar në nuk kemi pas argumente për me e kaluar në digë nacionale për tregtimin e kulturave dhe tani qysh u hi nuk e di.”, ka thënë Geci për Gazetën Sinjali.
Rastin për importimin e farës së grurit e ka konfirmuar edhe Polica e Kosovës, të cilët kanë thënë së janë duke e hetuar rastin.
“Policia e Kosovës ka pranuar informacion nga Instituti Bujqësor i Kosovës në lidhje me futjen e një sasie të farës së grurit në Kosovë. Konfirmojmë se ky informacion është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës.”, kanë thënë Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Sinjali.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk ka dhënë përgjigje për këtë rast. /Gazeta Sinjali/