image Ekskluzive: Zbulohet identiteti i të dyshuarit për plagosjen e dy personave në Pejë

Siguri

Ekskluzive: Zbulohet identiteti i të dyshuarit për plagosjen e dy personave në Pejë

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në fshatin Kryshec të komunës së Pejës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur dy persona. Njëri nga ta është dërguar në gjendje të rëndë në QKUK, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime të lehta. Lidhur me rastin Policia ka njoftuar se është arrestuar personi i dyshuar, i cili shtiu plot shtatë herë me armë drejt kushërinjve të tij.

Sinjali mëson ekskluzivisht se personi i cili u prangos nën dyshimet se tentoi t’i privojë nga jeta dy kushërinjtë e tij është Janifer Gashi, 45-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se njëri nga viktimat, Ilir Gashi kishte qenë duke pirë kafe me vëllain e tij në hapësirën e jashtme të lokalit, kur aty kishte arritur Janifer Gashi i cili i ishte drejtuar atij me fjalët “A më ke thirrë ti mua në telefon” dhe kishte nxjerrë armën duke shtënë në drejtim të tij.

Njësitet policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa janë vënë në kërkim të personit të dyshuar të cilin kanë arritur që ta arrestojnë.

Po ashtu është konfiskuar edhe arma e cila dyshohet se u përdor në rast.

Pas arrestimit Janifer Gashi është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’. Me urdhër të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/