Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një konflikt mes familjarëve ka përfunduar me vrasjen e një të riu 27-vjeçar dhe plagosjen e rëndë të babait të tij.
Siç ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali i vrarë ka mbetur Albian Osmanaj, djali i vetëm i familjes, ndërsa i plagosur babai i tij.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se viktima dhe të dyshuarit janë djem të axhës, ndërsa konflikti që përfundoi me pasoja fatale dyshohet të ketë shpërthyer për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth emërtimit të një rruge në fshat.
Sipas të njëjtave burime, njëra palë kishte kërkuar që rruga të mbante emrin e babait të tij, ndërsa pala tjetër kishte insistuar që ajo të emërtohej sipas gjyshit, çka dyshohet se ka nxitur përplasjen që më pas eskaloi në dhunë.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se në në lidhje me rastin janë ndaluar disa persona, përfshirë: Ajshe Osmanaj, Shqipron Osmanaj dhe A. Osmanaj (i mitur).
Ky i fundit, personi i mitur dyshohet për vrasjen e djalit të axhës së tij.
Ndërsa, nëna e tij, Ajshe Osmanaj, sipas burimeve të Sinjalit është ndaluar pasi dyshohet se ka pasur rol në nxitjen e kryerjes së vrasjes, çka ka zgjeruar hetimet dhe ka ndryshuar kahun e këtij rasti që ka tronditur opinionin publik.

Ajshja me djalin e saj të mitur që dyshohet se e ka kryer vrasjen
Ndërsa, Shqipron Osmanaj, burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dyshohet se ka sulmuar me thikë Imri Osmanajn, babanë e viktimës, gjatë përleshjes që eskaloi mes familjarëve.
Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se rasti është ende duke u trajtuar si një konflikt i brendshëm familjar që ka eskaluar në mënyrë tragjike, ku dyshohet se janë përfshirë disa anëtarë të së njëjtës familje.
Hetimet po vazhdojnë intensivisht nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura motivet e sakta të konfliktit që çoi në këtë tragjedi familjare.
Rasti po trajtohet me prioritet të lartë dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera në vijim.
Ndërsa, nesër do t’i jepet lamtumira e fundit, 27-vjeçait që mbeti i vrarë në Kobaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.