image Ekskluzive | Vodhën arkën e bamirësisë në xhami me rreth 1 mijë euro – arrestohen tre të rinj në Prishtinë

Ekskluzive

Ekskluzive | Vodhën arkën e bamirësisë në xhami me rreth 1 mijë euro – arrestohen tre të rinj në Prishtinë

news image

Policia ka zbardhur brenda pak ditësh vjedhjen që tronditi banorët e fshatit Sharban në Prishtinë, ku hajnat kishin hyrë me forcë në xhaminë e fshatit dhe kishin marrë arkën e bamirësisë me para të qytetarëve, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ishte raportuar më 30 maj, rreth orës 23:20, kur përgjegjësit e xhamisë kishin vërejtur se persona të panjohur kishin depërtuar brenda objektit fetar dhe kishin vjedhur arkën e bamirësisë, në të cilën ndodheshin rreth 1 mijë euro.

Pas veprimeve intensive hetimore, më 1 qershor njësitë policore kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

Bëhet fjalë për Endrit Hasanin, Enis Podvoricën dhe një të mitur me inicialet E.P.

Dy të dyshuarit madhorë janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit kujdestar, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkaq, i mituri është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, ndërsa me urdhër të Prokurorit për të Mitur është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se tre të arrestuarit nuk po hetohen vetëm për vjedhjen në xhaminë e Sharbanit.

Ata dyshohen edhe për një tjetër vjedhje të rëndë të kryer në xhaminë e fshatit Keqekollë, çka ka zgjeruar hetimet dhe dyshimet për përfshirjen e tyre në raste të tjera të ngjashme.

Rasti po hetohet si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa autoritetet po vazhdojnë veprimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit të dyshuar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/