Më 10 korrik 2021, nga të shtënat me armë zjarri u privua nga jeta 49-vjeçari nga Mitrovica, Driton Salihu, ndërsa i plagosur mbeti vëllai i tij, Jetoni. Pas hetimeve të realizuara nga Policia dhe me ndihmën e dëshmitarëve okularë, si i dyshuari kryesor për vrasjen e 49-vjeçarit, menjëherë ishte identifikuar Fitim Vatovci i njohur me nofkën “Laka”, shkruan Gazeta Sinjali.
Edhe pse Policia kishte identifikuar dorasin, ky i fundit deri më sot i ishte shmangur drejtësisë dhe gjendej në arrati.
Burimet e Gazetës Sinjali nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, bën me dije se Fitim Vatovci i njohur me nofkën “Laka” tashmë është vetdorëzuar në Polici dhe ndaj tij prokurori kompetent për hetimin e vrasjes së 49-vjeçarit tashmë ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orëve dhe së shpejti Gjykjatës do t’i dorëzojë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
Kujtojmë se muaj më parë për rastin e njëjtë ishte arrestuar edhe i dyshuari tjetër, Ardian Beqiri.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.