Me të arritur në 19 numri i kosovarëve të prekur nga koronavirusi, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin. Ideja e tij u kundërshtua nga Qeveria Kurti, por jo edhe nga ish-ministri i MPB-së, Agim Veliu. Deklarata e të cilit u bë ‘sebep’ për prishjen e raporteve mes partnerëve të koalicionit LVV-LDK, madje këta të fundit paralajmëruan nisjen e mocionit të mosbesimit që çon në rrëzimin e Albin Kurtit.
Përkundër situatës politike në vend, presidenca ka përgatitur versionin final të dekretit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Gazeta Sinjali sjellë ekskluzivisht dekretin me të gjitha pikat që janë paraparë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në pikën e parë të dekretit, i cili në tërësi përmban 16 sosh, theksohet se kohëzgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme do të jetë 30 ditë, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19.
Gjatë kësaj periudhe do të urdhërohet mobilizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës për të ndihmuar në gjendjen e jashtëzakonshme.
Poashtu parashihen kufizime si: Të ndalohet qarkullimi dhe lëvizja e qytetarëve prej orës 20:00 deri në ora 5:00, me përjashtim të personave që duhet të ushtrojnë veprimtaritë e tyre në bazë të këtij dekreti.
Vetizolimi i qytetarëve, mbyllja e kufijve, pezullimi i procesit mësimor, ndalimi i rritjes së çmimeve të mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave…Dënimi i personave fizik dhe juridik që nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet e parapara në dekret, janë disa nga masat që parashihen të ndërmerren.
Më poshtë lexoni dekretin e plotë:
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme presidenti Thaçi theksoi se periudha 30 ditore mund të zvogëlohet apo rritet varësisht prej situatës apo rrethanave që krijohen.
Kujtojmë se Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do ta mbështesë kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend si pasojë e virusit Covid-19. Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka deklaruar se pas përhapjes së pandemisë edhe në Kosovë është krijuar gjendja e jashtëzakonshme, pavarësisht nëse shpallet apo jo.
Edhe Nisma Socialdemokrate do të mbështesë kërkesën e presidentit Thaçi. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, u shpreh se këtë kërkesë e shohin si masë preventive për të mos u përhapur më shumë ky virus.
Ideja e presidentit Thaçi ka mbështetjen edhe të AKR-së që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli.
Mbetet për t’u parë nëse edhe Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për të votuar dekretin e presidentit Thaçi.
Aktualisht numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 20, sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile. /Gazeta Sinjali/