Tash e një javë, serbët e shqiptarët në Mitrovicën Veriore janë urdhëruar që të izolohen, ta kufizojnë lëvizjen dhe ta organizojnë jetesën në një mënyrë më ndryshe nga çfarë përcaktojnë vendimet e Qeverisë e Kosovës kundër pandemisë së koronavirusit.
Gazeta Sinjali ka siguruar vendimin e Shtabit të Mitrovicës Veriore për Gjendje të Jashtëzakonshme, i cili përmban një sërë masash të ndërmarra për parandalimin e koronavirusit, përkitazi me vendimet e Qeverisë së Serbisë.
Qysh në krye të këtij vendimi theksohet se masat janë marrë konform instruksioneve nga qeveria në Beograd.
“Shtabi Komunal për Gjendje të Jashtëzakonshme i Komunës Kosovska Mitrovica, në mbledhjen e mbajtur më 01.04.2020, në pajtim me vendimet e Qeverisë së Republikës së Serbisë, merr masat në vijim me qëllim të mbrojtjes, luftimit, shuarjes së epidemisë të virusit korona, caktohet orari i ri”, thuhet fillimisht në vendim.
Tetë masat e përshkruara në dokument specifikojnë kufizime e ndalesa të ndryshme, orar të funksionimit të dyqaneve të shitjes, orar të lëvizjes së qytetarëve, e deri te ulja e flamurit në gjysmë-shtizë në të gjitha institucionet e kësaj komune.
Sipas këtij vendimi është përcaktuar orari i ndalimit të lëvizjes së qytetarëve nga ora 17:00 deri në 06:00, ndërsa dy ditëve të fundit të javës nga ora 15:00 deri në 06:00.
Ky vendimi urdhëron dyqanet e shitjes me pakicë që të punojnë gjatë ditëve të punës nga ora 07:00 deri në 15:00, ndërkaq të shtunave dhe të dielave nga ora 07:00 deri në orën 13:00. Të dielave, dyqanet e shitjes me pakicë urdhërohen të punojnë për të moshuarit mbi 65 vjet prej orës 06:00 deri në orën 08:00.
“Njoftohen të gjithë qytetarët e moshuar të cilët nuk kanë familjarë ose që nuk kanë mundësi që në ndonjë mënyrë tjetër të sigurojnë gjërat elementare dhe ilaçet, se mund të paraqiten nga ora 08:00 deri në orën 16:00, për të parashtruar kërkesë për sigurimin e gjërave elementare të jetesës dhe ilaçeve, thirrni në qendrën e thirrjeve në numrat vijues të telefonit”, thuhet në pikën e fundit të këtij dokumenti, e ku më tej ofrohen për kontakt numra serbë.
Vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk përcaktojnë kufizime të tilla për dyqanet me pakicë dhe as orar të tillë të lëvizjes së qytetarëve në fundjavë.
Të premten, Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se me vendim të Serbisë, Mitrovica Veriore dhe Zveçani u futën në karantinë, ndërsa 210 qytetarë të 5 komunave veriore të Kosovës u urdhëruan të izolohen me vendim nga Beogradi.
Pas një heshtjeje një ditore, Qeveria e Kosovës tha se ishte vendim i saj që këto dy komuna veriore të Kosovës të futen në karantinë. Megjithatë, ky vendim i pretenduar nuk ekziston i publikuar ende askund. /Gazeta Sinjali/