COVID-19

Të infektuar

1123

Të shëruar

847

Të vdekur

30

Ekskluzive: “Unë ta ndërpres specializimin, tani ankohu në Shkup a Beograd”, zbulohet konflikti i Drejtorit të Klinikës së QKUK-së me specializantët

news image

Në një mbledhje të kolegjiumit mes mjekëve specialistë e specializantë të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, të mbajtur jo shumë kohë më parë, ka pasur një përplasje në mes të drejtorit të Klinikës Ferat Sallahu dhe mjekëve specializantë të kësaj klinike.

Në audio inqizimet e siguruara nga Gazeta Sinjali dëgjohet drejtori i kësaj Klinike, Ferat Sallahu, duke kërcënuar mjekët specializantë me ndërprerje të shkollimit specialistik.

“Unë mos mujsha me t’a ndërpre specializimin t’a ndërprejë Kirurgjinë, unë mos mujsha ma shumë me u shty me juve dije që t’a ndërprejë specializimin, tana ankohu ndaq në Shkup e ndaq në Beograd” – thotë Sallahu gjatë një mbledhje me stafin në cilësinë e drejtorit të Klinikës Abdominale.

I kontaktuar nga Sinjali, Sallahu mohoi të ketë kërcënuar ndonjëherë edhe pse qëndrimi i tij bjen ndesh me audio inqizimin e siguruar nga Gazeta Sinjali.

“Menaxheri ka për detyrë me i ecë puna mbarë, specializantat janë nxënësa të spitalit, ata duhet me i sygjeru që të kryhet puna me kujdes se përndryshe penalizohen, nuk ju kam thanë që ju ndërprej specializimin. Penalizohen, nuk hyjnë në sallë. Mos u merr me thashetheme, janë disa individë që kanë dosje dhe po ankohen për me i bo zgjidhjet e veta. Asnjëherë nuk kam thënë ashtu, në mbledhje të kolegjiumit nuk thuhen ato fjalë” – thotë Sallahu.

Burime të ndryshme brenda QKUK-së i kanë thënë Gazetës Sinjali se kërcënimet e tilla nga drejtori i Klinikës Abdominale për mjekët specializantë janë të vazhdueshme.

“Në Kirurgji Abdominale me ardhjen e Sallahut drejtor është krijuar një ambient patologjik ku një pjesë e madhe e punëtorëve shëndetësor kanë frikë të vijnë në punë”  thotë një nga mantelbardhët e Klinikës Abdominale për Gazetën Sinjali.

Përveç që nuk i kontribuon një fryme pozitive të punës në shëndetësi, komunikim i tillë në mes të mjekëve është shkelje e kodit të etikës, neni 42 i këtij kodi e specifikon qartë se marrëdhëniet e mjekëve duhet të bazohen në principet e një shoqërie të mirë dhe respektit reciprok.

“Mjeku duhet të sjellet ndaj kolegëve të tij me korrektësi e ndershmëri , duke ruajtur e mos cenuar dinjitetin e asnjërit, ashtu siç do të dëshironte që ata të sjelleshin ndaj tij” thotë Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.

Më tutje, kodi etik obligon çdo mjek që të ruaj dhe respektojë solidaritetin me kolegët, në të mirë të ruajtjes së integritetit profesional dhe në respekt të normave të etikës dhe deontologjisë mjekësore, gjë që duket qartë se nuk po ndodhë në Klinikën Abdominale. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin