Një konflikt që fillimisht kishte nisur për shkak të një të mituri ka eskaluar në përdorim arme zjarri në fshatin Lubovë të Istogut, duke vënë në lëvizje Policinë dhe Prokurorinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, pasi një 16-vjeçar kishte njoftuar familjarët e tij se ishte sulmuar në një rrugë të fshatit.
Pas këtij njoftimi, babai i të miturit ka shkuar së bashku me djalin në shtëpinë e personit që dyshohej për sulmin, me qëllim që të kërkonte sqarime për rastin.
Fillimisht ka pasur debat verbal mes palëve, por situata është përshkallëzuar kur në oborr është përfshirë edhe vëllai i personit të dyshuar. Sipas hetimeve fillestare, në kulmin e tensioneve, njëri nga të përfshirët ka nxjerrë një mjet të mprehtë të llojit skalper dhe ka tentuar t’i sulmojë dy vëllezërit.
Në ato momente, njëri prej tyre ka hyrë në shtëpi, ka marrë një armë zjarri dhe është kthyer në oborr. Sipas deklarimeve të dhëna para hetuesve, ai ka shkrepur një plumb me qëllim që ta frikësojë personin që mbante mjetin e mprehtë dhe ta detyrojë të largohet.
Policia ka sekuestruar një pistoletë të tipit M57, kalibër 7.62 mm, pa numër serik, një karikator, dy fishekë dhe një gëzhojë të gjetur në vendin e ngjarjes. Gjithashtu është konfiskuar edhe skalperi që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Me urdhër të prokurores kujdestare, ndaj njërit prej të dyshuarve janë iniciuar veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ndaj dy personave të tjerë është iniciuar vepra penale “Sulm”.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!