image Ekskluzive: Pse u suspendua komandanti i Policisë në Gorazhdec - peticioni për largimin e policit shqiptar me ndihmën e zyrës paralele serbe

Ekskluzive

Ekskluzive: Pse u suspendua komandanti i Policisë në Gorazhdec – peticioni për largimin e policit shqiptar me ndihmën e zyrës paralele serbe

news image

Komandanti i nënstacionit policor në Gorazhdec të Pejës, Dimitrije Besovic, me gradën e togerit është suspenduar nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Gazeta Sinjali raportoi këtë rast, të cilin e konfirmuan edhe nga IPK dhe njoftuan se vendimi për rekomandimin e kësaj mase ndaj zyrtarit policor në fjalë i ka paraprirë një hetim, gjatë të cilit janë mbledhur dëshmi për dyshimet e ngritura ndaj tij.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht detaje për arsyet mbi të cilat u suspendua zyrtari policor dhe përfshirjen e strukturave paralele serbe atje.

Peticioni për largimin e një polici – njëra ndër arsyet

Persona të afërt me komandantin e suspenduar, në kushte anonimiteti kanë bërë me dije për Sinjalin disa nga shumë arsyet në bazë të të cilave është suspenduar Besovic. Në mesin e tyre është organizimi i një peticioni, për largimin e një polici shqiptar (emër i njohur për redaksinë), që dyshohet se lidhet me motive etnike, e të cilit dyshohet se i ka prirë vet komandanti, por me ndihmën e zyrtarëve nga një zyrë që operon në Gorazhdec, e cila vepron në kuadër të sistemit në Serbi dhe bashkësisë lokale.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për zyrën e ashtuquajtur “Riga’, udhëheqësi i së cilës, në bazë të urdhrave të komandantit Besovic ka ka organizuar mbledhjen e nënshkrimeve nga një pjesë e qytetarëve që zyrtari policor në fjalë i cili shërbente në këtë stacion të mos vazhdojë ushtrimin e detyrave më tutje aty. Por ky plan i brendshëm, sipas personave të afërt me Besovic, nuk iu ishte prezantuar qytetarëve. Ata thonë se qytetarët kanë dhënë nënshkrimet e tyre, duke menduar se po ndihmojnë në një organizim në kuadër të disa ndihmave që gjoja se kjo zyrë paralele do t’i shpërndante për persona në nevojë, shkruan Gazeta Sinjali.

Si u zbulua peticioni i rrejshëm?

Ky peticion siç duket u funksionoi dhe pasi u mblodhën nënshkrimet, komandanti Besovic dyshohet se i dorëzoi në zyrat e Policisë Rajonale në Pejë, duke i prezantuar si “kërkesë” e qytetarëve që zyrtari policor në fjalë të mos vazhdojë punën në nënstacionin policor në Gorazhdec. Por ky peticion i rrejshëm nisi të zbulohej pasi në Policinë rajonale u paraqitën disa qytetarë, të cilët e kanë marrë vesh se kanë rënë pre e organizatorëve të peticionit.

Cilat janë arsyet e tjera – Hakmarrje ndaj zyrtarëve policorë që kryejnë detyrat siç duhet?

Përveç peticionit, nga personat e njëjtë, Sinjali ka mësuar se arsye tjetër dyshohet se janë disa vendime që ka marrë komandanti i suspenduar, si hakmarrje ndaj disa zyrtarëve policorë (emra të njohur për redaksinë) të cilët kanë kryer detyrat në bazë të ligjit, raporton Sinjali.

Ai po dyshohet se ka nxjerrë vendime për transferimin e këtyre zyrtarëve policorë në stacione të ndryshme të rajonit të Pejës, me qëllimin që të njëjtit mos  të shërbejnë në këtë nënstacion ku ai është komandant.

Presion edhe ndaj stafit civil

Në mesin e arsyeve që e bënë IPK-në të aktivizohej për të hetuar janë edhe dyshimet e ngritura se komandanti Besovic ka ushtruar presion, në forma të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, të gradave të ndryshme, që nuk kanë qenë pjesë e ‘’rrethit të tij”, e madje në disa raste edhe ka ushtruar presion edhe ndaj punonjëse nga stafi civil në këtë nënstacion.

Këto dhe arsye të tjera dyshohet se i kanë paraprirë edhe hetimit që rezultoi me suspendimin e tij dhe që do të ndihmojnë gjatë këtij procesi, për të dëshmuar ose jo dyshimet e ngritura.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur edhe arsye të tjera, por për shkak të procesit dhe mospengimit të rrjedhës normale të hetimit, nuk do t’i publikojë detajet për shkeljet dhe dyshimet që rëndojnë mbi komandantin e suspenduar.

Inspektorati Policor ka njoftuar se Besovic është suspenduar deri në një vendim tjetër që do të merret konform veprimeve ligjore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/