image Ekskluzive | Policia ia gjeti armën, por jo edhe atë – ky është i dyshuari për tentim-vrasjen në Prishtinë

Ekskluzive

Ekskluzive | Policia ia gjeti armën, por jo edhe atë – ky është i dyshuari për tentim-vrasjen në Prishtinë

news image

Sabit Mustafa, rreth 57-vjeçar, është personi që po kërkohet nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka tentuar ta vrasë një 26-vjeçar në Prishtinë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Mustafa dyshohet se qëndron prapa të shtënave me armë zjarri që ndodhën në orët e para të mëngjesit të 16 qershorit në rrugën “Holger Petersen”, ku objektiv i sulmit ishte F.V, rreth 26-vjeçar.

Sipas hetimeve, njëri nga plumbat depërtoi në xhamin e pasmë të veturës së viktimës, ndërsa për fat nuk pati të lënduar.

Pas raportimit të rastit, hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Kundër Personit kanë zhvilluar veprime intensive hetimore dhe, në koordinim me Prokurorinë për Krime të Rënda, kanë kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit.

Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.

Megjithatë, Sabit Mustafa nuk është hasur në banesë. Ai tashmë është shpallur në kërkim policor dhe autoritetet janë vënë në ndjekje të tij.

Rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”, ndërsa arma e sekuestruar pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve forenzike për të konfirmuar nëse është përdorur në sulm.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/