image Detaje të reja nga tentim-vrasja në Prishtinë: Policia gjen armën e dyshuar, i kërkuari zhduket para bastisjes

Siguri

Detaje të reja nga tentim-vrasja në Prishtinë: Policia gjen armën e dyshuar, i kërkuari zhduket para bastisjes

news image

Kanë dalë detaje të reja nga rasti i tentim-vrasjes me armë zjarri që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se pas veprimeve intensive hetimore, Policia e Kosovës ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit S.M., rreth 57vjeçar , i cili dyshohet se shtiu me armë në drejtim të F. V. rreth 27-vjeçar.

Gjatë bastisjes, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, për të cilën dyshohet se është përdorur në rastin që po hetohet si “Vrasje në tentativë”.

Megjithatë, i dyshuari nuk është hasur në banesë. Sinjali mëson se ai është futur në kërkim policor dhe autoritetet po vazhdojnë përpjekjet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Siç raportoi më herët Sinjali, ngjarja ndodhi rreth orës 01:25, kur u raportuan të shtëna me armë zjarri në kryeqytet. Pak minuta më vonë, viktima ishte ndaluar nga policia te Rrethi i Ismetit dhe kishte deklaruar se në drejtim të tij kishte shtënë S.M.

Sipas dëshmisë së tij, plumbi kishte depërtuar në xhamin e pasmë të veturës së tij. Gjatë ekzaminimit të automjetit, Policia kishte gjetur dhe sekuestruar një predhë, ndërsa në vendin e ngjarjes ishte sekuestruar edhe një gëzhojë.

Hetimet janë duke vazhduar nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda.

Një plumb që depërtoi në veturën e viktimës, një armë e gjetur nga Policia dhe një i dyshuar në arrati – këto janë zhvillimet e fundit nga rasti që po trajtohet si tentim-vrasje në kryeqytet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/