Burimet e Gazetës Sinjali brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë i themeluar me vendim të Qeverisë, në mbledhjen e mbajtur më 8 janar, ka aprovuar kërkesën e Ministres së Financave, Hykmete Bajrami, për inicimin e procedurës disiplinore ndaj Ilir Murtezit, drejtor i ATK-së.
Të njëjtat burime konfirmojnë për Sinjalin se Këshilli ka vendosur edhe pezullimin e përkohshëm nga ushtrimi i detyrës, duke vlerësuar se prezenca e Ilir Murtezajt në ATK gjatë kohës sa është duke zhvilluar procedurë disiplinore kundër tij, do të mund të pengonte hetimin disiplinor, tashmë të iniciuar.
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Sinjali, theksohet se është aprovuar kërkesa e ministres së Financave Hykmete Bajrami, që ka datën 31 dhjetor 2020. I njëjti vendim ka hyrë në fuqi sot.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Murtezajn rreth këtij vendimi por ai e ka ndërprerë lidhjen.
Murtezaj ishte shkarkuar më 16 tetor të vitit 2020 nga Avdullah Hoti, e më pas, Qeveria Hoti u obligua ta kthejë në pozitën e drejtorit të ATK-së.
Murtezaj, pas shkarkimit, e kishte akuzuar kryeministrin tashmë në detyrë për nepotizëm dhe favorizim të bizneseve.