Një tjetër zhvillim serioz është shënuar në rastin e të riut nga Kaçaniku, Lirim Tusha, i cili tashmë ishte arrestuar për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Më 05.02.2026, rreth orës 09:00, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Ferizaj është njoftuar nga Njësiti i Forenzikës Rajonale të DRP Ferizaj se gjatë ekzaminimit të provave materiale në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Soponicë të Kaçanikut, janë hasur mbetje të substancës së dyshuar narkotike – marihuanë.
Kontrolli është vazhduar edhe gjatë mëngjesit, ku nën stufë në sallonin e shtëpisë është gjetur një kavanoz qelqi i mbushur me marihuanë.
Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është iniciuar rast i veçantë për veprën penale “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike”, ndërsa i dyshuari është intervistuar edhe për këtë pjesë të rastit.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: Një sasi marihuane me peshë 4.6 gram, një kavanoz qelqi me marihuanë, me peshë totale 37.4 gram, një peshore (markë Gorenje), me kapacitet matës nga 0 deri në 10 kilogramë
Lirim Tusha tashmë ndodhet në ndalim për rastet paraprake që lidhen me armëmbajtje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave.
Burimet janë të besueshme, nga strukturat e afërta me hetimin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!