Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e 4 shkurtit 2026 në fshatin Dubravë të Kaçanikut, duke vënë në alarm Policinë dhe njësitë speciale.
Siç merr vesh Sinjali, ngjarja është raportuar rreth orës 20:15, kur dy vetura dyshohet se kanë shkëmbyer zjarr mes vete në lagjen Imishtë.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetimet e stacionit dhe njësia e NJRSH-së, por në lokacion nuk janë hasur as veturat e përfshira, as personat e dyshuar, ndërsa nuk janë gjetur as gëzhoja.
Pak më vonë, Policia është njoftuar edhe për një aksident trafiku në fshatin Soponicë. Në këtë lokacion është hasur i dyshuari Lirim Tusha, i cili është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, ndërsa e dashura e tij, Jehona B., është shoqëruar në stacion policor.
Fillimisht, B. ka deklaruar se Tusha kishte konsumuar alkool dhe se për shkak të gjendjes depresive ishte plagosur aksidentalisht në këmbë gjatë vozitjes me veturën Golf 4.
Mirëpo, burime të sigurta nga hetimi bëjnë me dije se personi i plagosur me armë zjarri nuk ishte Lirim Tusha, por Egzon Asllani, i cili pas plagosjes është larguar në drejtim të panjohur, pasi dyshohet se ka urdhëresë aktive nga Gjykata.
Situata është përshkallëzuar rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur gjatë kërkimeve policore, Lirim Tusha është shfaqur mbi kulmin e shtëpisë së tij në Soponicë, duke kërcënuar se do t’i japë fund jetës.
Pas rreth një ore negociatash me eprorin policor, i dyshuari është bindur të zbresë dhe është arrestuar. Me vendim të Prokurorit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar një armë automatike AK-47, e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Ndërkohë, Jehona Bislimi është ndaluar gjithashtu për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale deklarime të rreme.
Rasti është iniciuar për veprat penale: Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, armëmbajtje pa leje, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Hetimet rajonale janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e sakta të plagosjes së Egzon Asllanit, ndërsa dyshimet fillestare janë se incidenti mund të ketë ndodhur në mënyrë aksidentale, pasi tre personat ndodheshin në të njëjtën veturë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/