image Ekskluzive | Nga uniforma në hetim: Ky është polici që u ndal bashkë me babanë pas denoncimit për kanosje me armë

Ekskluzive

Ekskluzive | Nga uniforma në hetim: Ky është polici që u ndal bashkë me babanë pas denoncimit për kanosje me armë

news image

Një denoncim për kanosje me armë ka përfunduar me ndalimin e një zyrtari policor dhe babait të tij, duke aktivizuar jo vetëm Policinë e Kosovës, por edhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Leutrim Hasanin, zyrtar policor, i cili u ndal bashkë me babanë e tij, Besim Hasani, pas raportimit të një qytetari se ishte kanosur me armë në fshatin Radevë të Graçanicës.

Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, pas pranimit të denoncimit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe kanë lokalizuar automjetin ku ndodheshin babë e bir.

Kontrolli i automjetit ka zbuluar armë zjarri dhe municion. Burimet konfirmojnë se në veturë janë gjetur një pistoletë, një pushkë dhe fishekë, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale ndaj Besim Hasanit për veprat “Kanosje me armë” dhe “Mbajtje e paautorizuar e armës”, si dhe ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.

Përfshirja e një zyrtari policor në këtë ngjarje ka bërë që në rast të angazhohet edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili tashmë ka nisur hetimet për të sqaruar rolin dhe përgjegjësinë eventuale të policit në incident.

Rasti ka ngritur interesim për shkak se në qendër të hetimeve ndodhet një zyrtar i zbatimit të ligjit, ndërsa veprimet hetimore janë ende në zhvillim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/