image Ekskluzive: Ky është personi i dyshuar për kanosjen me armë në lokalin në Zhur, arrestohet dhe lirohet

Ekskluzive

Ekskluzive: Ky është personi i dyshuar për kanosjen me armë në lokalin në Zhur, arrestohet dhe lirohet

news image

Fenomeni i mbajtjes së armëve ilegale po vazhdon të jetë mjaft shqetësues dhe që paraqet një rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Jo rrallëherë armët ekspozohen e përdoren edhe në hapësira publike gjatë konflikteve e incidenteve të ndryshme. Sinjali publikoi të hënën në mbrëmje pamje të një rasti të tillë që ka ndodhur më 7 prill në një lokal në Zhur të Prizrenit.

Lidhur me rastin, tashmë është iniciuar hetim nga Policia me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në drejtim të veprës penale “Kanosje”.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi ndaj të cilit është hapur rasti, i cili shihet në pamjet e publikuara është Nezir Idrizaj, që njihet edhe si Nezir Zhuri nga fshati Zhur.

Nga Policia Rajonale në Prizren e kanë konfirmuar se i dyshuari është arrestuar dhe më pas është lënë i lirë, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

“Lidhur me rastin është arrestuar I dyshuari. Pas intervsitimit të dyshuarit, viktimës dhe dëshmitarëve, në konsultim me prokurorin kujdestar është hap rast “Kanosje”. Rasti procedohet me procedurë të rregullt.”

Ndryshe, Neziri ka afërsi edhe me zyrtarë policorë, e njëri ndër ta është komandanti i nënstacionit policor në Zhur, Ziber Susuri, i cili në vitin 2022 ishte dënuar me shtatë muaj burgim me kusht, pasi akuzohej për korrupsion. Shoqëria e tij është publike dhe ata shihen shpesh bashkë në dreka e darka me miq të tjerë.

Madje, sipas sinjalizuesve të Sinjalit, lokali ku ndodhi incidenti më 7 prill është jo fort larg nënstacionit policor.

Nezir Zhuri po ashtu ka pasur shoqëri më parë edhe me Dibran Hoxhën, i njohur si Kobra – i cili ndodhet në paraburgim për vrasjen te lokali i tij.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/