Mjekët kujdestarë të Emergjencës në Spitalin e Ferizajt mbrëmë janë përballur me një sulm nga familjari i një pacienti që shkoi të kërkoi ndihmë mjekësore. I dyshuari është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta brenda Prokurorisë se i dyshuari është 34-vjeçari, Hyzri Haziri.
Por si kishte ndodhur e gjithë ngjarja?
Hyzri Haziri mbrëmjen e kaluar kishte shkuar të shoqërojë një familjar të tij në spital, pasi ky i fundit kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Me të arritur në Emergjencë, mjekët e udhëzuan atë që të dalë dhe të blejë disa barna të cilat mungonin në spital, mirëpo kjo e acaroi tej mase të dyshuarin.
34-vjeçari dyshohet se ka nisur të debatojë me stafin shëndetësor, të cilëve u ka thënë se kanë barna dhe nuk do të dalë t’i blejë ato vetë.
I gjithë konflikti verbal i përcjellë me të shara e kërcënime, ka eskaluar në dhunë fizike, në momentin që Haziri ka sulmuar mjekët kujdestarë duke i goditur me grushte dhe duke e kapur tjetrin për fyti.
Përballë kësaj situate, punonjësit shëndetësorë janë detyruar të njoftojnë Policinë, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar 34-vjeçarin i cili u shoqërua në stacion.
Në stacion policor Haziri i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.