Policia e Kosovës më 30 nëntor e ka arrestuar njërin nga të dyshuarit lidhur me grabitjen e armatosur që ndodhi në Parallovë të Novobërdës, më 18 nëntor. Gazeta Sinjali mëson se i arrestuari është Dardan Gashi, 29-vjeçar nga fshati Sllovi i Lipjanit.
Ndaj Gashit, Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “grabitja”.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast, ku katër të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të “Besa Security”, i cili po bartte paratë e bankës “Procredit”, që përfunduan në duart e tyre.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.