image Ekskluzive: Kurti nis gjuetinë ndaj Haradinajt, kërkon të gjitha vendimet gjatë qeverisjes së tij

Ekskluzive

Ekskluzive: Kurti nis gjuetinë ndaj Haradinajt, kërkon të gjitha vendimet gjatë qeverisjes së tij

news image

Albin Kurti po luan rolin e ‘gazetarit hulumtues’ nga pozita e kryeministrit në detyrë, për të marrë në dorë vendimet e paligjshme të Qeverisë Haradinaj, që si të tilla mund të jenë konsideruar nga Zyra Ligjore e Kryeministrisë.

Gazeta Sinjali ka siguruar emailin e kabinetit të Kurtit dërguar Zyrës Ligjore të Kryeministrisë, që në fokus ka vendimet e Qeverisë Haradinaj. Përmes këtij emaili kërkohen vendimet e marra nën pikën të NDRYSHME, (kështu duke iu shmangur opinioneve negative të Zyrës Ligjore), dhe ato për të cilat eksplicit ka pasur opinion negativ të zyrës ligjore të ZKM ose Ministrisë së Financave.

‘Hulumtimi’ i Kurtit rreth veprimeve të Ramush Haradinajt dhe kabinetit të tij qeveritar, duket si parapërgatitje për marrjen e bajrakut si opozitar, duke filluar me AAK-në.

Megjithatë, akoma nuk dihet nëse kryeministri në detyrë, do t’i nxjerrë menjëherë në publik vendimet e paligjshme të Haradinajt, nëse ekzistojnë, apo do t’i ruaj për t’i ‘goditur’ më vonë kundërshtarët e tij politikë.

Konfrontimi mes LVV-së dhe AAK-së daton së paku që nga themelimi i Qeverisë Kurti. Deputetët e partisë së Ramush Haradinajt kanë bërë opozitarizëm ndaj Albin Kurtit, gjatë 50 ditëve sa ky ishte në pushtet. E replika të ashpra mes Albin Kurtit dhe Daut Haradinajt nuk munguan as në seancën e mocionit të mosbesimit, ndaj qeverisë në ikje.

Mbetet të shihet nëse ‘gjuetia’ e Kurtit po bëhet për t’iu hakmarrë opozitarizmit të AAK-së dhe në veçanti kryetarit Ramush Haradinaj, apo për të parandaluar formimin e një qeverie të re pas pandemisë.

Gjithsesi, marrja e rolit të ‘gazetarit hulumtues’ është veprim i njohur për Lëvizjen Vetëvendosje, ngase kjo parti me të fituar Komunën e Prishtinës në krye me Shpend Ahmetin deponoi dhjetëra dosje të pretenduara me dëshmi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion në Prokurorinë Speciale, ndaj ish-kryetarit Isa Mustafa. Mirëpo, hetimi i prokurorisë nuk nxori në pah asnjë veprim apo vendim të kundërligjshëm të ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, apo të administratës të drejtuar nga ai. /Gazeta Sinjali/