Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për rrëmbimin e dy qytetarëve nga Kumanova, i cili u realizua nga dy zyrtarë policorë, Visar Kerçeli dhe Besjan Neziri. Policëve u ndihmoi Valon Kiqina, punëtor i Aeroportit të Prishtinës, Flamur Sopi, punëtor i RTK-së dhe Margona Islami, një femër e cila shërbeu për t’i joshur viktimat në mënyrë që më vonë t’u merret haraç.
Sinjali ka siguruar videon të cilën zyrtarët policorë dyshohet se ua kanë dërguar familjarëve të viktimave për t’u kërkuar para për lirimin e tyre.
Burimet e Sinjali njoftojnë se zyrtarët policorë me të dyshuarit e tjerë i rrahën viktimat, ku njërin nga ta e kanë zhveshur, duke e filmuar gjithë këtë ngjarje, video të cilën ia kanë dërguar vëllezërve të viktimave, njërit i cili është biznesmen në Maqedoni të Veriut dhe tjetrit që jeton në Zvicër, duke iu kërkuar para për lirimin e tyre.
Gjithë këtë ngjarje dyshohet se e ka kurdisur zyrtari policor Visar Kerçeli me të dyshuarën Margona Islami, e cila po ashtu është arrestuar.
Më poshtë mund t’i ndiqni pamjet ekskluzive të siguruara nga Sinjali.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.