Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë zhvillimit të punimeve në një objekt banesor, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 22 qershor, rreth orës 08:00, në rrugën “Ismail Qemali”, në Arbanë të Prizrenit, në objektin banesor “Swiss”, ku punimet po kryheshin nga kompania “Dili Comerc”.
Burimet bëjnë të ditur se viktima Valmir Morina, 25-vjeçar, ishte duke punuar në betonimin e pllakës së objektit, kur dyshohet se është goditur nga auto-betoniera.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë procesit të punës, nga mikseri i betonit ishte shkëputur një gyp, i cili dyshohet se e kishte goditur viktimën, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Ndërkaq, pas daljes së hetuesve në vendin e ngjarjes, dyshohet se i dyshuari A.G., person përgjegjës për auto-betonierën, nuk e kishte siguruar mjetin në mënyrë adekuate gjatë procesit të punës.
Si pasojë, auto-betoniera dyshohet se ka humbur kontrollin në mënyrë të pakontrolluar dhe me pjesën e përparme ka goditur viktimën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe hetimore, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është duke u hetuar si “Asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!