Pas gati 3 muajsh në arrati, sot janë dorëzuar në Policinë e Kosovës dy burrat që dyshohet se mbajtën të mbyllura dy vajza, të cilat më pas i sulmuan fizikisht. Rasti ka ndodhur më 9 nëntor të vitit të kaluar dhe u denoncua nga viktimat një ditë më pas. Të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor dhe Sinjali ka mësuar identitetin e tyre.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë par Burim Strumcakun dhe Valon Morinën, të cilët vendosën të paraqiten sot në Polici për t’u përballur me dyshimet që rëndojnë mbi ta.
Strumcaku dhe Morina janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë.
Të njëjtit do të hetohen për veprat penale “Privim i kundërligjshëm nga liria”, “Sulmi”, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Si kishte ndodhur rasti?
Më 9 nëntor të 2022, vajzat e moshës 19 dhe 17 vjeç kishin qenë bashkë me të dyshuarit në një kafeteri në Prishtinë. Gjithçka kishe qenë në rregull deri në momentin që ata i morën vajzat dhe i dërguan në një banesë, ku i mbyllën dhe i sulmuan për motive akoma të panjohura.
Për të mos mbaruar me kaq, nga banesa ku i mbajtën i dërguan në një shtëpi në Drenas, ku po ashtu i keqtrajtuan dhe i mbajtën të mbyllura, duke iu shkaktuar kështu lëndime trupore.
Pasi rasti ishte denoncuar, Policia kishte nisur hetimet në koordinim me Prokurorinë, por deri më sot kur ata u vetdorëzuan nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tyre.
Brenda afatit ligjor, ndaj tyre Prokuroria do të vendosë nëse do të ushtrohet kërkesa për masën e paraburgimit.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.