Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht identitetin e personave të dyshuar për përfshirje në rrahjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 26 majit në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se në këtë rast janë arrestuar Malsor Mustafa, Enis Hoxha, Liridon Rrahmani dhe një i mitur me inicialet E.R.
Sipas informatave të siguruara, Policia kishte pranuar informacion për një rrahje në progres rreth orës 20:00, ndërsa njësitë reaguese me të arritur në vendin e ngjarjes kishin hasur viktimën Shkëlzen Vërshefci dhe personat e përfshirë në incident.
Si pasojë e përleshjes, viktima kishte pësuar lëndime trupore dhe fillimisht kishte marrë trajtim mjekësor në Podujevë, ndërsa më pas ishte dërguar në QKUK në Prishtinë nën shoqërimin e Policisë.
Sinjali mëson se gjatë arrestimit të njërit prej të dyshuarve, një tjetër person kishte penguar zyrtarët policorë, për çka ndaj tij është iniciuar procedurë kundërvajtëse për pengim të Policisë.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit policorë, njësitë relevante dhe forenzika rajonale, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe procedurat hetimore.
Me urdhër të Prokurorit kompetent, ndaj dy prej të dyshuarve është iniciuar rasti “Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje”, ndaj njërit “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa ndaj të miturit është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor”.
Tre të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri për 24 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!