image Ekskluzive | Rrahje brutale në Podujevë – katër persona bëjnë për spital viktimën, intervenon Policia

Sinjalizime

Ekskluzive | Rrahje brutale në Podujevë – katër persona bëjnë për spital viktimën, intervenon Policia

news image

Një përleshje e dhunshme ka ndodhur mbrëmjen e 26 majit në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, ku disa persona dyshohet se sulmuan fizikisht një person, i cili përfundoi me lëndime serioze dhe u dërgua për trajtim në QKUK, mëson Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se Policia ka pranuar informatë për një rrahje në progres rreth orës 20:00, pas çka njësitë reaguese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Në lokacion janë hasur viktima Sh.V. personat e dyshuar dhe dëshmitarë të rastit, të cilët kishin pësuar lëndime si pasojë e përleshjes.

Sinjali mëson se viktima fillimisht ka marrë tretman mjekësor në Podujevë, ndërsa më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë nën shoqërimin e Policisë.

Në lidhje me rastin janë arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor Malsor Mustafa, Enis Hoxha, Liridon Rrahmani dhe një i mitur me inicialet E.R.

Sipas burimeve, gjatë arrestimit të Malsor Mustafës, një tjetër person, Albion Mustafa, kishte penguar zyrtarët policorë, për çka me urdhër të Prokurorit ndaj tij është shqiptuar kundërvajtje për pengim të Policisë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore, forenzika rajonale dhe njësitë tjera relevante policore, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe procedurat hetimore.

Me urdhër të Prokurorit kompetent, ndaj Malsor Mustafës dhe Enis Hoxhës është iniciuar rasti “Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje”, ndaj Liridon Rrahmanit “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa ndaj të miturit E.R. është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor”.

Tre nga të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri për 24 orë.

Hetimet për rastin po vazhdojnë nga Njësia për Hetime të Krimeve të Përgjithshme

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/