image Ekskluzive | Këta janë të arrestuarit e operacionit antidrogë – dyshohet se po transportonin rreth 26 kilogramë marihuanë nga Shqipëria drejt Serbisë

Sinjalizime

Ekskluzive | Këta janë të arrestuarit e operacionit antidrogë – dyshohet se po transportonin rreth 26 kilogramë marihuanë nga Shqipëria drejt Serbisë

news image

Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e tre personave të arrestuar në operacionin e koduar “Kontrolli”, ku Policia e Kosovës sekuestroi rreth 26 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar Goran Rasoviq, Miloje Dokoviq dhe Dushko Jovanoviq, të cilët dyshohet se ishin pjesë e një skeme të organizuar për transportimin e drogës nga Shqipëria drejt Serbisë, përmes territorit të Kosovës.

Operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit pas hetimeve paraprake të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, dy automjete me targa të Serbisë, një BMW dhe një Mercedes, ishin nën vëzhgim të hetuesve. BMW-ja është ndaluar në hyrje të Zveçanit, ndërsa Mercedesi në Pikën Kufitare të Jarinjës.

Gjatë kontrollit të BMW-së janë zbuluar hapësira të fshehta të modifikuara posaçërisht për transport të narkotikëve, ku janë gjetur 25.984 kilogramë marihuanë.

Hetuesit dyshojnë se automjeti Mercedes kishte rolin e përcjellësit, me qëllim sigurimin e itinerarit dhe paralajmërimin për kontrolle eventuale policore.

Përveç drogës, Policia ka sekuestruar edhe dy automjetet dhe prova të tjera materiale që pritet të shërbejnë në procedurën hetimore.

Rasti po trajtohet si trafikim ndërkombëtar i narkotikëve, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë operacion.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/