Dy persona janë arrestuar të hënën në mesditë në fshatin Shushicë të Shtërpcës, pasi dyshohet se kanë rrahur një 40-vjeçar. Përleshjes i parapriu një debat verbal me ofendime e sharje që eskaloi në dhunë fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit e arrestuar për këtë rast janë vëllezër dhe bëhet fjalë për Jovixa Milic (39-vjeçar) dhe Goran Milic (41-vjeçar).
Viktima që u sulmua nga dy vëllezërit ka marrë trajtim mjekësor dhe sipas burimeve të Sinjalit është jashtë rrezikut për jetë.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës dhe kanë njoftuar se dy të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
“Sot, rreth orës 12:00 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Sushicë të Shtërpcës është një rast i lëndimit trupor. Policia i ka marrë veprimet e nevojshme, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar dy të dyshuarit G.M (M/K) 41-vjeçar dhe J.M (M/K) 39-vjeçar, të cilët i kishin shkaktuar lëndime trupore personit S.M ( M/K), 40-vjeçar, i cili ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë”, thuhet në raportin e policisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.