image Ekskluzive | Ish-punëtori sulmon lokalin “Konak Grill” me thikë në Fushë Kosovë – përfundon në mbajtje

Siguri

Ekskluzive | Ish-punëtori sulmon lokalin “Konak Grill” me thikë në Fushë Kosovë – përfundon në mbajtje

news image

Një incident i rëndë është shënuar pasditen e së hënës në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se ka dëmtuar me thikë një lokal pas një konflikti me ish-punëdhënësin e tij, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në lokalin “Konak Grill” në rrugën “Bedri Pejani” në Bresje, ndërsa rasti fillimisht është raportuar në Polici si kanosje.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pronari i lokalit, A.H, ka denoncuar se ish-punëtori i tij, Valmir Shala, kishte shkuar në lokalin e tij dhe kishte shkaktuar dëme materiale duke përdorur një mjet të mprehtë, konkretisht thikë.

Pas ndërhyrjes së Policisë, i dyshuari është shoqëruar në stacion për intervistim.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, gjatë deklarimit të tij para hetuesve, Valmir Shala ka pranuar se kishte vepruar në gjendje nervoze dhe emocionale, duke pretenduar se pronari i lokalit kishte shqetësuar disa herë djalin e tij.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e veprave penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/